Shqipëri: Të huajt kanë blerë 1,3 miliardë euro prona që nga viti 2021
- Në vitet e fundit, Shqipëria është bërë treg interesant për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, sidomos në bregdet, ku çmimet ishin më të lira në krahasim me vendet e tjera të rajonit, si Kroacia apo Mali i Zi.
- Post By Besnik Shuki
- 13:49, 3 gusht, 2025
Tiranë, 3 gusht 2025 (MIA) - Në vitet e fundit, Shqipëria është bërë treg interesant për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, sidomos në bregdet, ku çmimet ishin më të lira në krahasim me vendet e tjera të rajonit, si Kroacia apo Mali i Zi.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, e cila i llogarit këto flukse, në tre muajt e parë të këtij viti, fluksi i Investimeve të drejtpërdrejta të huaja sipas aktivitetit të pasurive të paluajtshme arriti 104 milionë euro, me një rritje prej 24 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë më parë.
Të dhënat historike tregojnë se ky është niveli i dytë më i lartë i investimeve në një tremujor, pas periudhës tetor-dhjetor 2024, kur treguesi arriti në 110 milionë euro.
Në vitin 2024, siç informon gazeta "Monitor", të huajt blenë prona me vlerë rreth 380 milionë euro.
"Që nga viti 2021, kur filloi interesi i huajve, kryesisht në bregdetin shqiptar, deri në mars 2025, të huajt kanë blerë rreth 1,3 miliardë euro prona në vend. Rëndësia e investimeve në pasuri të paluajtshme në raport me totalin e investimeve në vend është rritur ndjeshëm. Në vitin 2014, blerjet e pronave nga të huajt zinin vetëm 5,7 për qind të investimeve të huaja, ndërsa në 2024-n, kjo peshë u rrit në 24 për qind", thuhet më tej.
Rekordi u shënua në tremujorin e parë të këtij viti, ku blerjet e shtëpive nga të huajt zunë gati 29 për qind të totalit të fluksit të investimeve të huaja në vend.
"Në vend të dytë ishin aktivitete financiare dhe të sigurimit, me 75 milionë euro, pothuajse njësoj me një vit më parë, duke zënë 20,7 për qind të totalit.
"Edhe këto janë kryesisht investime në rritjen e kapitalit të bankave për shkak të kërkesave rregullatorë të Bankës së Shqipërisë pa efekt direkt në ekonomi. Industria nxjerrëse tërhoqi 51 milionë euro në tremujorin e parë, pothuajse njësoj sa një vit më parë. Në industrinë përpunuese, investimet zbritën në 32 milionë euro, me tkurrje 24 për qind me bazë vjetore. Investimet në Tregtia me shumicë dhe me pakicë u rritën për 28 për qind në 32 milionë euro. Energjia elektrike, gazi, dhe furnizimi me ujë, që dikur ishte kontribuuesi kryesor i investimeve të huaja për shkak të investimeve në energji dhe gazsjellësin TAP solli vetëm 27 milionë euro investime, ose 7,5 për qind të totalit. Në total, investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit ishin 362 milionë euro, me rritje të lehtë prej 2,3 për qind me bazë vjetore", konstatoi Monitor. bsh/
Foto: Ministria e Turizmit e Shqipërisë/Fejsbuk