• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shpërthime në qytetet ukrainase gjatë një sulmi masiv rus me raketa

Shpërthime në qytetet ukrainase gjatë një sulmi masiv rus me raketa

Kiev, 17 nëntor 2024 (MIA) – Shpërthime e goditën kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe qytete të tjera, ndërsa Polonia fqinje e rriti alarmin për aeroplanë në orët e hershme të mëngjesit sot pasi të dyja vendet raportuan një sulm masiv rus me raketa. 

“Për shkak të sulmit masiv me raketa të Rusisë me raketa kryqëzuese dhe balistike dhe me fluturake pa pilot kundër objektivave të vendosura veçanërisht në Ukrainën perëndimore, aeroplanët polakë dhe aleatë filluan të operojnë në hapësirën tonë ajrore, njoftoi komanda operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë në rrjetin social "X". 

Shtohet se “të gjitha forcat dhe burimet në dispozicion janë aktivizuar, aeroplanët luftarakë janë vënë në gatishmëri, ndërsa mjetet tokësore për mbrojtje ajrore dhe mbikëqyrje me radar janë vendosur në nivelin më të lartë të gatishmërisë”. 

Shpërthimet shpërthyen në qytetin juglindor të Ukrainës, Zaporozhje, deklaruan dëshmitarët, ndërsa forcat ajrore ukrainase shpallën alarm ajror në mbarë Ukrainën, por shtrirja e sulmit mbetet e paqartë. Kryetari i Odesës në Detin e Zi, Genadi Trukhanov, raportoi shpërthime të forta dhe shtoi se disa pjesë të qytetit ishin pa energji elektrike.

Forcat ajrore ju bënë thirrje banorëve që të strehohen në strehimore për bomba dhe theksuan se një numër i pacaktuar i raketave, përfshirë edhe lloje të ndryshme të raketave kryqëzuese, fluturojnë në hapësirën ajrore ukrainase. 

Autoritetet ukrainase njoftuan se si masë e kujdesit e kanë ndalur rrymën në një numër të madh të rajoneve, duke përfshirë edhe Kievin. 

Sulmi me raketa vijoi pas një sulmi të mesnatës me dron ndaj kryeqytetit të Ukrainës. Rënia e mbetjeve ka shkaktuar zjarr në çatinë e një ndërtese banesore, ndërsa të paktën një person është lënduar, njoftoi administrata e qytetit në aplikacionin Telegram. 

“Në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipe të ndihmës urgjente”, deklaroi kryetari i Kievit, Vitalij Kliçko. 

Në qytetin jugor Nikollaev dy gra u vranë, ndërsa gjashtë persona janë lënduar, në mesin e të cilëve dy fëmijë, në një sulm të mesnatës me fluturake pa pilot, njoftoi në Telegram kryetari i administratës ushtarake rajonale Vitalij Kim. 

Ukraina me javë të tëra është në gjendje gatishmërie për shkak të frikës nga një sulm i mundshëm i madh rus me afrimin e dimrit. Sulmet paraprake ishin të drejtuara drejt rrjetit elektrik, duke lënë shumë pjesë të Ukrainës në errësirë. fc/

Fotografia: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR