Sholci: Gjermania është e gatshme ta mbështesë rindërtimin e Sirisë
- Kancelari gjerman Olaf Sholci, në bisedën e sotme telefonike me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al Shara, deklaroi se Berlini është i gatshëm të mbështesë rindërtimin e Sirisë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:52, 7 shkurt, 2025

Berlin, 7 shkurt 2025 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholci, në bisedën e sotme telefonike me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al Shara, deklaroi se Berlini është i gatshëm të mbështesë rindërtimin e Sirisë.
Zëdhënës i qeverisë gjermane theksoi se telefonata midis Sholcit dhe Sharës ka zgjatur një orë, gjatë së cilës Sholci uroi popullin sirian për përmbysjen e regjimit të Bashar al Asadit.
Sholci ra dakord me al Sharën se Siria ka nevojë për një proces politik gjithëpërfshirës që do të mundësojë pjesëmarrjen e të gjithë sirianëve dhe do t'u sigurojë realizimin e të drejtave dhe mbrojtje.
Kancelari gjerman e theksoi edhe rëndësinë e luftës së vazhdueshme kundër terrorizmit për sigurinë në Siri, në rajon dhe në mbarë botën.
Kryengritësit sirianë, të udhëhequr nga Shara më 8 dhjetor rrëzuan Asadin. Shara udhëhoqi grupin e armatosur islamik Hajat Tahrir al-Sham (HTS) përpara se të bëhej presidenti i përkohshëm i Sirisë. HTS është ende në listën amerikane të organizatave terroriste, megjithëse ndërpreu lidhjet me Al-Kaedën në vitin 2016.
Foto: EPA