• e shtunë, 23 nëntor 2024

Sholc pas shpërbërjes së koalicionit qeveritar: Bundestagu më 15 janar do të votojë për besim të qeverisë

Sholc pas shpërbërjes së koalicionit qeveritar: Bundestagu më 15 janar do të votojë për besim të qeverisë

Berlin, 7 nëntor 2024 (MIA) - Kancelari gjerman, Olaf Sholc mbrëmë iu drejtua opinionit pas vendimit për shkarkim të ministrit të Financave, Kristian Lindner, me ç'rast deklaroi se më 15 janar do të votohet për besim të qeverisë aktuale. 

Sholc e akuzoi kreun e FDP-së, parti e cila së bashku me SPD-në dhe Të Gjelbrit e kryesojnë "koalicionin semafor" në pushtet, për obstruksione në negociatat për buxhetin, duke thënë se partinë e ka vendosur para shtetit.

Sholc paralajmëroi se deputetët në Bundestag më 15 janar do të votojnë për besim të qeverisë, ku pritet shumica e deputetëve të jenë kundër vazhdimit të mandatit.

FDP me siguri do ta tërheqë mbështetjen për qeverinë pasi që Sholc e shkarkoi kryetarin e tyre, duke e lënë qeverinë me 324 deputetë, 44 më pak se shumica e nevojshme.

Kjo do ta hapë rrugën për zgjedhje të parakohshme në mars, ku pritet CDU ta bëjë "kambekin" e madh.

Sipas anketave të tanishme, partia e ish-kancelares Angela Merkel për momentin ka mbështetje prej 32 për qind në mbarë Gjermaninë. Prapa tyre janë djathtistët ekstremë nga AfD, të cilët kanë 18 për qind mbështetje, ndërsa SPD e Sholcit është në vendin e tretë me 16 për qind.

Anketat tregojnë edhe se në parlament do të hyjnë edhe partitë e Të Gjelbërve (10 për qind) dhe BSV (8 për qind), ndërkaq FDP (4 për qind) dhe E Majta (3 për qind) do të mbeten nën prag. ab/

foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR