• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sholc ia theksoi Netanjahut rëndësinë e mbrojtjes së civilëve në Gaza

Sholc ia theksoi Netanjahut rëndësinë e mbrojtjes së civilëve në Gaza

Berlin, 1 nëntor 2023 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholc ka biseduar sot në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, të cilit i ka theksuar se mbrojtja e civilëve në Rripin e Gazës është thelbësore, si dhe garancia për dërgimin e ndihmave humanitare.

Siç kumtoi zyra e Sholcit, ai e përsëriti "solidaritetin e palëkundur të Gjermanisë me Izraelin".

"Ai nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve dhe ndihmave humanitare për popullatën e Rripit të Gazës", thuhet në kumtesë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës po vazhdon prej 26 ditësh.

Në luftë deri më tani u vranë më shumë se 1,400 njerëz në Izrael, me numrin më të madh të viktimave në sulmet fillestare nga ekstremistët e Gazës më 7 tetor. Rreth 240 persona më pas u rrëmbyen dhe u dërguan në Rripin e Gazës, ndërsa pesë gra pengje janë liruar deri më tani.

Numri i viktimave palestineze në luftë dje tejkaloi 8.500 në Rripin e Gazës ndërsa në Bregun Perëndimor në dhunë dhe sulmet izraelite u vranë më shumë se 120 palestinezë. sa/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR