Sholc dhe Zelenski pajtohen se Trampi është faktor kyç në bisedimet paqësore
- Kancelari gjerman në largim, Olaf Sholc në bisedën e sotme telefonike me liderin ukrainas Volodimir Zelenski konfirmoi se presidenti amerikan, Donald Tramp ka rol kyç në negociatat me Rusinë, njofton BTA, duke cituar një deklaratë të zëdhënësit të qeverisë gjermane.
- Post By Fami Bajrami
- 15:07, 5 mars, 2025

Berlin, 5 mars 2025 (MIA) - Kancelari gjerman në largim, Olaf Sholc në bisedën e sotme telefonike me liderin ukrainas Volodimir Zelenski konfirmoi se presidenti amerikan, Donald Tramp ka rol kyç në negociatat me Rusinë, njofton BTA, duke cituar një deklaratë të zëdhënësit të qeverisë gjermane.
"Kancelari mirëpret dëshirën e presidentit ukrainas për të nisur negociatat sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në kumtesë.
“Të dy ranë dakord se është e rëndësishme që presidenti amerikan të luajë rol udhëheqës, gjithashtu për të arritur një fillim të shpejtë të armëpushimit dhe paqes së qëndrueshme për Ukrainën”, thuhet në kumtesë.
Gjatë bisedës, Sholc gjithashtu konfirmoi solidaritetin e vazhdueshëm dhe të palëkundur të Gjermanisë me Ukrainën", shtoi zëdhënësi.
Zelenski konfirmoi në Iks se me Sholcin kanë pasur "një bisedë të sinqertë për çështje të ndryshme dhe vizionin tonë për arkitekturën e ardhshme të sigurisë".
"Ne mbështetemi në unitetin e Evropës rreth Ukrainës dhe po punojmë në të. Të gjithë duam një të ardhme të sigurt për njerëzit tanë. Jo armëpushim të përkohshëm, por përfundim të luftës njëherë e përgjithmonë. Me përpjekjet tona të koordinuara dhe udhëheqjen e SHBA-së, kjo është plotësisht e arritshme. Gjithmonë do ta kujtojmë kontributin e Gjermanisë në forcimin e mburojës ajrore të Ukrainës dhe më e rëndësishmja, mbrojtjen e mijëra jetëve. Shohim mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin tonë në këtë fushë. Do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Faleminderit për mbështetjen”, ka shkruar Zelenski.