• e enjte, 10 korrik 2025

Shkarkohet i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor

Shkarkohet i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor

Berlin, 7 maj 2025 (MIA) - Qeveria e re federale gjermane, e udhëhequr nga kancelari Fridrih Merc, ka vendosur të reduktojë ndjeshëm numrin e komisionerëve, të dërguarve të posaçëm dhe koordinatorëve. Në mesin e pozitave që do të hiqen është edhe funksioni i të dërguarit të posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor.

Sipas dokumentit për rezolutë të publikuar nga "BILD", qeveria planifikon qtë shfuqizojë gjithsej 25 pozita në seancën e parë. Vendimi përfshin një gamë të gjerë pozitash, duke përfshirë të dërguar të posaçëm për politikën ndërkombëtare të klimës, marrëveshjen për emigrim, si dhe koordinatorë të ndryshëm për transportin dhe teknologjinë e informacionit.

Në vitin 2022, qeveria gjermane ka emëruar Manuel Sarazin si të dërguar të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

Veçanërisht është e rëndësishme që Gjermania nuk do të ketë më të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, gjë që tregon ndryshime në qasjen e këtij vendi ndaj rajonit. Deri më tani, ky funksion ka luajtur një rol të rëndësishëm në monitorimin e proceseve politike dhe ekonomike në Ballkan dhe ka përfaqësuar një mbështetje të fuqishme për perspektivën evropiane të vendeve në rajon.

Ministria federale e Punëve të Jashtme publikoi se në të ardhmen detyrat e të dërguarve të shkarkuar do t'i marrin ministritë kompetente. Kjo, sipas Qeverisë, do të sigurojë menaxhim më efikas dhe më të centralizuar pa burokraci shtesë.

Rregullat e reja përcaktojnë se pozitat e reja të komisionerëve mund të vendosen vetëm me një vendim kabineti ose një dekret të kancelarit federal, me përjashtim të rasteve kur kjo është parashikuar me ligj. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR