Shirat e dendur shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje të dheut në Korenë e Jugut
- Kompania hekurudhore kombëtare e Koresë së Jugut sot ka ndaluar trenat në disa linja të rregullta dhe i ka anuluar trenat e shpejtë për shkak shirave të dendur në pjesën qendrore të vendit të cilët nga e diela kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut, njoftojnë mediat britanike.
- Post By Fami Bajrami
- 08:21, 10 korrik, 2024
Seul, 10 korrik 2024 (MIA) - Kompania hekurudhore kombëtare e Koresë së Jugut sot ka ndaluar trenat në disa linja të rregullta dhe i ka anuluar trenat e shpejtë për shkak shirave të dendur në pjesën qendrore të vendit të cilët nga e diela kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut, njoftojnë mediat britanike.
Në qytetin Gunsan herët në mëngjes vetëm për një orë ka rënë gjithsej100 mm shi, ndërsa më shumë se 200 mm shi në një ditë ka rënë në disa vende në pjesën qendrore të vendit, kumtoi shërbimi meteorologjik.
Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se një person ka humbur jetën pasi mbi të ka rënë një mur. Dëme të mëdha janë shkaktuar në ndërtesa, rrugë dhe infrastruktura të tjera.
Kompania hekurudhore kombëtare Korail kumtoi se ka ndaluar lëvizjen e trenave në gjashtë linja rajonale. Në disa zona trenat e shpejtë qarkullojnë më ngadalë.
Në Korenë e Jugut, korriku është zakonisht koha e monsuneve, por në vitet e fundit muajt e verës kanë pasur ngjarje ekstreme të motit të cilat presidenti Jun Suk-Jop thotë se duhet të priten për shkak të ndryshimeve klimatike. rq/
Foto: arkivi i MIA-s