SHGM fton institucionet që të gjenden autorët që dogjën makinën e drejtorit dhe gazetarit të Televizionit M-NET
- Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër aktin vandal të djegies së makinës së kolegut Bllagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe medias onlajn M-net nga Shtipi.
- Post By Fami Bajrami
- 17:17, 24 tetor, 2024
Shtip, 24 tetor 2024 (MIA)- Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër aktin vandal të djegies së makinës së kolegut Bllagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe medias onlajn M-net nga Shtipi.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së kaluar ku makina e gazetarit dhe redaktorit të televizionit të Shtipit M-net është djegur nga autorë të panjohur në oborrin e shtëpisë së tij familjare. Me këtë, autorët kanë rrezikuar të shkaktojnë edhe më shumë dëme, duke ekspozuar ndaj një rreziku të mundshëm edhe sigurinë e familjarëve të gazetarit dhe fqinjëve të tij.
Kolegu Sersemov për këtë shkatërrim tendencioz të pasurisë së tij personale tha: “Unë e konsideroj këtë një goditje të drejtpërdrejtë për të gjitha mediat, jo vetëm për mua personalisht. Siguria e anëtarëve të familjes sime është padyshim në rrezik”.
Një akt i tillë vandalizmi paraqet një kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Ndaj SHGM-ja i bën thirrje MPB-së që menjëherë të marrë masa për zbardhjen e plotë dhe të shpejtë të rastit, identifikimin dhe sanksionimin e autorëve.
Përveç kësaj, kolegu Sersemov këtë vit ka edhe presione juridike dhe përballet me padi të pabaza për shpifje për të cilat avokatët e SHGM-së e përfaqësojnë në Gjykatën Themelore në Shtip.
Kërcënimet e këtij lloji janë të papranueshme në një shoqëri demokratike që synon të mbrojë të drejtat e medias dhe sigurinë e të gjithë gazetarëve. Ky sulm nuk është vetëm një akt fizik i shkatërrimit të pronës, por ka për qëllim të heshtë gazetarët dhe të frikësojë sektorin e medias në vend.
Për këtë rast SHGM do të informojë organizatat ndërkombëtare gazetareske që monitorojnë të drejtat dhe liritë e medias.
Foto: MIA