• e premte, 05 dhjetor 2025

Shekerinska: BeH-ja po përballet me sfida serioze sigurie

Shekerinska: BeH-ja po përballet me sfida serioze sigurie

 Sarajevë, 29 shtator 2025 (MIA) - Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, gjatë Konferencës së Sigurisë në Sarajevë paralajmëroi se Bosnja e Hercegovina (BeH) po përballet me sfida serioze sigurie.

 "Jemi dëshmitarë të rritjes së retorikës së rrezikshme dhe konflikteve politike. Ekzistojnë kërcënime të vazhdueshme për shkëputje, aksione nxitëse dhe përpjekje për të minuar rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit", theksoi Shekerinska, sipas komunikatës nga ekipi i marrëdhënieve me publikun i konferencës.

Ajo vlerësoi se këto janë "lëvizje të rrezikshme që rrezikojnë të shkatërrojnë paqen e fituar me mund, të ngadalësojnë progresin e reformave dhe ta kthejnë vendin në një të kaluar të ndarë". 

 "Kush do të përfitonte nga kjo? Vetëm ata që duan të shkatërrojnë lirinë dhe sigurinë tonë përmes destabilizimit. Qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës nuk e duan këtë - ata duan institucione funksionale, sundim të barabartë të ligjit, vende pune të qëndrueshme dhe një të ardhme paqësore", theksoi ajo.

Shekerinska shtoi se kërkohet vullnet politik dhe guxim për të ecur përpara, madje edhe kur rruga është e vështirë, duke theksuar se liderët duhet të zgjedhin paqen dhe prosperitetin mbi përçarjet dhe konfliktet. 

 Në Konferencn e Sigurisë në Sarajevë, e cila, siç raportoi Beta, përfundoi sot, morën pjesë më shumë se dyqind përfaqësues nga njëzet vende - diplomatë, përfaqësues ushtarakë, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë, përfaqësues të NATO-s, akademikë, liderë të shoqërisë civile dhe analistë.

Temat mbuluan rreziqet kritike të lëndëve të para dhe energjisë, ndikimet e huaja në rajon, drejtësinë tranzicionale, të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, dilemat e sigurisë midis Lindjes dhe Perëndimit, si dhe zhvillimin e shpejtë të teknologjive të reja, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe kërcënimet kibernetike.

 Foto: Konfererena e Sigurisë në Sarajevë

 

QËNDRONI TË LIDHUR