Shefi i NATO-s thotë se "ka ende shumë punë" rreth Grenlandës
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute deklaroi se ka "ende shumë punë" midis palëve të përfshira në mosmarrëveshjen rreth kontrollit të Grenlandës, një ishull gjysmë-autonom që i përket Danimarkës.
Davos, 22 janar 2026 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute deklaroi se ka "ende shumë punë" midis palëve të përfshira në mosmarrëveshjen rreth kontrollit të Grenlandës, një ishull gjysmë-autonom që i përket Danimarkës.
Rute për Foks Njuz deklaroi se ai dhe presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, në bisedimet në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në qytetin alpin zviceran Davos janë pajtuar që rajoni i Arktikut duhet të mbrohet së bashku.
Shefi i NATO-s shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë bisedimet e saj me Grenlandën dhe Danimarkën, përfshirë edhe për parandalimin e Rusisë dhe Kinës nga fitimi i qasjes në ekonominë e Grenlandës.
Duke i përshkruar bisedimet si të tilla që dhanë një rezultat "shumë të mirë", Rute theksoi se "ka ende shumë punë", transmetoi DPA.
Ai tha se palët ranë dakord të shqyrtojnë se si NATO mund të kontribuojë kolektivisht për të siguruar që i gjithë rajoni i Arktikut të jetë i sigurt, duke theksuar nevojën për masa në tokë, në det dhe në ajër për të mbrojtur atë që ai e quajti një pjesë të rëndësishme të botës dhe territorit të NATO-s.
I pyetur nëse korniza për një marrëveshje të mundshme për Grenlandën, të cilën më parë e paralajmëroi Trampi, parashikon që ishulli kryesisht autonom i Arktikut të mbetet danez, Rute tha se "kjo çështje nuk është ngritur në diskutimet e sotme".
Fokusi, tha Rute, ishte në mbrojtjen e Grenlandës.
Trampi më parë deklaroi se takimi i tij me Ruten rezultoi me një kornizë për marrëveshje të ardhshme për Grenlandën dhe për gjithë rajonin Arktik.
Presidenti amerikan, gjithashtu, tha se megjithatë nuk do të vendos tarifa ndëshkuese për vendet evropiane që mbështesin Danimarkën, vetëm disa ditë pasi u kërcënua se do ta bëjë këtë.
Rute më parë i konfirmoi komentet e Trampit për një marrëveshje të mundshme për Grenlandën, por tha se nuk donte të jepte detaje. ls/
Foto: EPA