• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shefi i kabinetit të Zelenskit: Inkuadrimi i Ukrainës në NATO është pjesë e "planit për fitore"

Shefi i kabinetit të Zelenskit: Inkuadrimi i Ukrainës në NATO është pjesë e

Nju-Jork, 24 shtator 2024 (MIA) - Ftesa për Ukrainën për t'iu bashkuar NATO-s është pjesë e "planit për fitore" të presidentit Vollodimir Zelenskit, të cilin ai po ua paraqet aleatëve derisa është në Nju-Jork, deklaroi shefi i kabinetit të presidentit, Andrij Jermak.

Gjatë një panel diskutimi në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së mbrëmë vonë (sipas orës lokale) ai tha se aleatët e Kievit duhet të injorojnë kërcënimet e Rusisë për përshkallëzim nëse Ukraina hynë në NATO.

Liderët e vendit të NATO-s në samitin në Uashington këtë vit deklaruan se Ukraina ishte në një "rrugë të pakthyeshme" drejt anëtarësimit, por se kushtet nuk ishin përmbushur ende për të bërë një ftesë formale.

Zelenski planifikon t'ia paraqesë personalisht "planin e tij për fitore" (i cili përmban komponenta ushtarake dhe diplomatike, duke përfshirë negociata me Rusinë) presidentit amerikan, Xho Bajden në Uashington të enjten.

Hollësira konkrete të planit ende nuk janë publikuar, por pritet se do të përfshijë kërkesë nga Zelenski që Ukraina të marrë leje për të përdorur raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda territorit rus.

Edhe pse ka indikacione se SHBA mund të ndryshojë pozicionin e saj, Gjermania këmbëngul se armët e saj nuk mund të përdoren për qëllime të tilla, kujton DPA.

Moska sot kumtoi se po i përmbahet objektivave të saj ushtarake në Ukrainë, edhe krahas synimit të qartë të Kievit për negociata.

"Pasi të arrihen këto qëllime në një ose tjetër mënyrë, operacioni ushtarak special do të përfundojë", deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, duke përdorur terminin që Moska e shfrytëzon për luftën pushtuese në Ukrainë.

Rusia deri tani potencoi disa qëllime për pushtimin e saj, duke përfshirë dhe parandalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe marrjen dhe pushtimin e plotë të rajoneve lindore të Ukrainës, Donjeck, Lugansk, Zaporozhje dhe Herson. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR