• e premte, 23 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Shefat e Shtatmadhorive të Francës dhe Britanisë u takuan me Zelenskin në Kiev

Shefat e Shtatmadhorive të Francës dhe Britanisë u takuan me Zelenskin në Kiev

Kiev, 5 prill 2025 (MIA) - Shefat e Shtatmadhorive të Forcave të armatosura të Francës dhe Britanisë së Madhe, gjenerali Tieri Burkhart dhe admirali Entoni Radakin në Kiev u takuan me presidentin e Ukrainës Volodimir Zelenski dhe udhëheqësinë ushtarake të Ukrainës për bisedime për vendosjen e mundshme të forcave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë pas përfundimit të konfliktit.

Këtë e ka bërë të ditur Burkhart në platformën “X”, duke theksuar se është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov dhe komandantin suprem të Forcave të armatosura, Aleksandër Sirski.

Burkhart ka thënë se qëllimi i takimit është "përcaktimi i një strategjie afatgjate për rikonstruimin dhe transformimin e modelit të armatës (ukrainase) që është garancia kryesore e sigurisë së vendit.

Ai theksoi se janë duke u shqyrtuar opsionet për zbatimin e garancive ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën.

"Së bashku përpiqemi të garantojmë një paqe të qëndrueshme në Ukrainë - një kusht i domosdoshëm për sigurinë e kontinentit evropian", ka thënë Burkhart.

Zëvendësshefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Pavlo Palisha deklaroi se 10 deri në 12 vende janë të gatshëm t'i bashkohen "koalicionit të të përgatiturve" në njëfarë formë, njoftuan mediat ukrainase.

Më 27 mars në Paris u mbajt një takim i "koalicionit të të përgatiturve" ku tema kryesore e takimit ka qenë vazhdimi i ndihmës për Ukrainën dhe diskutimi mbi strukturën e garancive të ardhshme të sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR