• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shefat e financave të G20 me pikëpamje të ndryshme për borxhin, luftën ruso-ukrainase

Shefat e financave të G20 me pikëpamje të ndryshme për borxhin, luftën ruso-ukrainase

Bengaluru, 25 shkurt 2023 (MIA) - Udhëheqësit financiarë të ekonomive më të mëdha në botë po përballen sot me dallime në lidhje me luftën në Ukrainë dhe zgjidhjen e barrës së borxhit të vendeve të kërcënuara në zhvillim.

Takim i ministrave të financave dhe shefave të bankave qendrore të Grupit 20 (G20), i organizuar nga India, me siguri do të përfundojë më vonë gjatë ditës pa një komunikatë të përbashkët, pasi deri më tani nuk ka konsensus se si të organizohet konflikti në Ukrainë, theksuan delegatët në deklaratë për mediat perëndimore.

SHBA dhe aleatët e tyre në Grupin e Shtatë fuqive të industrializuara (G7) janë të vendosur në kërkesën që komunikata të dënojë kategorikisht Rusinë për pushtimin e fqinjit të saj, të cilin delegacionet ruse dhe kineze e kundërshtuan, thanë delegatët.

"Unë mendoj se duhet të ketë një deklaratë në komunikatë që dënon luftën e Rusisë," tha ministrja amerikane e Financave, Xhenet Jellen në margjinat e takimit.

"Është diçka që unë mendoj se është absolutisht e nevojshme...Dhe unë mendoj se G7 është sigurisht i bashkuar për këtë."

Rusia, një anëtare e G-20, por jo e G7, i referohet veprimeve të saj në Ukrainë si një "operacion special ushtarak" dhe i shmanget ta quajë atë një pushtim apo luftë.

India po i bën presion takimit për të shmangur përdorimin e fjalës "luftë" në çdo komunikatë, thanë zyrtarët e G20. India, e cila kryeson G-20  të këtij viti, ka mbajtur një qëndrim kryesisht neutral ndaj luftës, duke refuzuar të fajësojë Rusinë për pushtimin, duke kërkuar një zgjidhje diplomatike dhe kryesisht rritje  të blerjes së naftës ruse.

India dhe Kina ishin ndër vendet që abstenuan të enjten kur KB-ja votoi me shumicë dërrmuese për të kërkuar që Moska të tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe t'i japë fund luftimeve.

Përveç vendeve të G7, blloku G20 përfshin edhe vende si Australia, Brazili dhe Arabia Saudite.

Një burim i lartë i G-20 tha se negociatat mbi komunikatën kishin qenë të vështira sepse Rusia dhe Kina kishin bllokuar propozimet perëndimore.

Burimi dhe disa zyrtarë të tjerë thanë se duke përjashtuar një surprizë të minutës së fundit, konsensusi mbi komunikatën nuk ka gjasa dhe se takimi me siguri do të përfundojë me një deklaratë të nikoqirit që përmbledh diskutimet.

Në margjinat, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbajti një takim me Bankën Botërore, Kinën, Indinë, Arabinë Saudite dhe G7 për të ristrukturuar borxhin për ekonomitë e kërcënuara, por ka mosmarrëveshje midis anëtarëve, tha drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva. 

"Ne sapo përfunduam seancën ku ishte e qartë se kishte një angazhim për të kapërcyer dallimet për të mirën e vendeve," tha Georgieva, e cila bashkë-kryesoi tryezën me ministren indiane të financave Nirmala Sitharaman.

Diskutime të mëtejshme në panel janë planifikuar gjatë takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në prill. sa/

foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR