SHBA-ja shpalli katër degë evropiane të grupit Antifa si organizata terroriste
- SHBA-ja ka shpallur katër grupe në Gjermani, Itali dhe Greqi si terroristë globalë, duke i akuzuar se janë "antifa të dhunshëm".
- Post By Qefsere Abduli
- 08:33, 14 nëntor, 2025
Uashington, 14 nëntor 2025 (MIA) - SHBA-ja ka shpallur katër grupe në Gjermani, Itali dhe Greqi si terroristë globalë, duke i akuzuar se janë "antifa të dhunshëm".
Sekretari i shtetit Marko Rubio deklaroi se i ka shpallur anëtarët e grupeve Antifa Ost, Federatën Informale Anarkiste/Frontin Ndërkombëtar Revolucionar (FAI/FRI), Mbrojtjen revolucionare të klasës dhe Drejtësinë e armatosur proletare si "Terroristë globalë të përcaktuar special", duke vazhduar politikën e Trampit për "kundërshtimin e fushatës së dhunës politike të Antifas".
Rubio theksoi se ka qëllim t’i shpallë këto grupe si "organizata terroriste të huaja" nga 20 nëntori dhe paralajmëroi se Uashingtoni do të synojë edhe grupe të tjera në mbarë botën, raporton Hina.
"Grupet e lidhura me këtë lëvizje udhëhiqen nga ideologji revolucionare anarkiste ose marksiste, duke përfshirë antiamerikanizmin, antikapitalizmin dhe antikristianizmin, duke i përdorur këto për të nxitur dhe justifikuar sulme të dhunshme brenda dhe jashtë vendit", tha Rubio.
Sipas Departamentit të Shtetit, Antifa Ost, me seli në Gjermani, ka organizuar sulme ndaj individëve që i konsideronte "fashistë" në Gjermani mes viteve 2018 dhe 2023, "dhe është akuzuar për një seri sulmesh në Budapest rreth mesit të shkurtit të vitit 2023. Hungaria e shpalli Antifa Ost si organizatë terroriste më herët gjatë këtij viti.
Tramp dhe aleatët e tij republikan akuzuan ndjekësit e Antifas për nxitje të dhunës politike pas atentatit ndaj aktivistit konservator Çarli Kirk.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trampi kërcënoi se do ta ndjekë Antifan, ndërsa në shtator me një urdhër ekzekutiv e shpalli grupin si organizatë terroriste, edhe pse disa ekspertë të sigurisë kombëtare besojnë se kjo nuk ka bazë ligjore, pasi Antifa nuk ka as udhëheqje zyrtare e as strukturë organizative. qa/
Foto:Arkivi i MIA-s