SHBA-ja i bëri thirrje Indisë dhe Pakistanit që të mos i përshkallëzojnë tensionet
- – Sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio së shpejti do të bisedojë me ministrat e Punëve të Jashtme të Indisë dhe Pakistanit që t’ju bëjë thirrje të dyja vendeve që të mos i përshkallëzojnë tensionet për shkak të sulmit vdekjeprurës në territorin federal indian Xhamu dhe Kashmir javën e kaluar, njoftoi dje Departamenti i Shtetit amerikan.
- Post By Fitore Curri
- 08:13, 30 prill, 2025
Uashington, 30 prill 2025 (MIA) – Sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio së shpejti do të bisedojë me ministrat e Punëve të Jashtme të Indisë dhe Pakistanit që t’ju bëjë thirrje të dyja vendeve që të mos i përshkallëzojnë tensionet për shkak të sulmit vdekjeprurës në territorin federal indian Xhamu dhe Kashmir javën e kaluar, njoftoi dje Departamenti i Shtetit amerikan.
Uashingtoni të dielën njoftoi se është në kontakt në nivele të ndryshme me të dyja forcat bërthamore, duke i inkurajuar që të punojnë drejtë “zgjidhjes me përgjegjësi” për situatën.
“Bisedojmë me të dyja palët dhe u themi, gjithsesi, të mos e përshkallëzojnë situatën”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për gazetarët, duke e cituar Rubion.
Sekretari shtetëror pret që të bisedojë me ministrat e punëve të jashtme të Indisë dhe Pakistanit të martën ose të mërkurën dhe ju bën thirrje ministrave të tjerë të punëve të jashtme ta bëjnë të njëjtën gjë, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Uashingtoni publikisht e shprehu mbështetjen e tij për Indinë pas sulmit, i cili ishte dënuar nga presidenti amerikan Donald Tramp dhe nënpresidenti Xhej Di Uens. Megjithatë, SHBA-ja nuk e kritikoi Pakistanin.
India e akuzoi Pakistanin për sulmin më 22 prill, në të cilin u vranë 26 persona. Pakistani i hodhi poshtë akuzat dhe kërkon hetim të pavarur për sulmin.
Pas sulmit, India dhe Pakistani këmbyen zjarr përmes kufirit të tyre faktik.
Kryeministri nacionalist indian Narendra Modi premtoi se do t’i dënojë sulmuesit.
Ministri pakistanez i Informacioneve, Atulla Tarar deklaroi se vendi i tij ka informacione të besueshme se India ka për qëllim të fillojë sulm ushtarak në afat prej 24 deri 36 orë.
“Pakistani ka informacione të besueshme se India ka për qëllim të fillojë sulm ushtarak gjatë 24 deri 36 orëve të ardhshme, duke e shfrytëzuar incidentin në Pahalgam si arsyetim të rremë”, tha Tarar në “X”. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s