• e premte, 05 dhjetor 2025

SHBA-ja dhe Kina sot fillojnë bisedime tregtare në Zvicër

SHBA-ja dhe Kina sot fillojnë bisedime tregtare në Zvicër

Uashington, 10 maj 2025 (MIA) - Ministri i Financave i SHBA-së, Skot Besant, dhe përfaqësuesi tregtar Xhejmison Grier, do të takohen sot në Zvicër me zëvendëskryeministrin kinez He Lifen, në negociatat e para midis dy palëve në kushte të pasigurisë globale të shkaktuar nga lufta tregtare, transmetoi DPA.

Negociatat në Gjenevë do të monitorohen me kujdes për shkak të luftës tregtare të iniciuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Tramp, i cili ka vendosur tarifa prej të paktën 10 për qind për të gjitha importet në vend, si dhe barriera të tjera për disa partnerë tregtarë, gjë që ka shkaktuar trazira të konsiderueshme në bursa dhe tregjet financiare.

Edhe pse shumë nga tarifat e planifikuara u hoqën për të mundësuar negociata tregtare, tarifat speciale deri në 145 për qind mbeten në fuqi për produktet kineze, ndërsa Pekini u kundërpërgjigj me tarifa deri në 125 përqind për produktet amerikane.

Negociatat në Gjenevë përfaqësojnë një hap të parë nga të dyja palët, të cilat deri më tani vetëm janë përpjekur të pozicionohen në një pozicion më të fortë.

Ka indikacione se Uashingtoni mund të jetë i gatshëm të ulë tarifat. “Tarifa 80 për qind ndaj Kinës duket e drejtë! Drejtuar Skot B.”, shkroi Tramp dje në rrjetet sociale. ls/

Foto: Arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR