SHBA-ja dhe Gjermania krijojnë një sipërmarrje të përbashkët për të prodhuar raketa Patriot dhe HIMARS në Evropë
- Gjigandi ushtarako-industrial "Lokid Martin" (Lockheed Martin) dhe kompania gjermane "Rajnmetall" (Rheinmetall) po krijojnë një sipërmarrje të përbashkët në Evropë për të prodhuar raketa amerikane, njoftuan sot disa media perëndimore.
- Post By Lindita Sulejmani
- 17:53, 19 maj, 2025
Uashington, 19 maj 2025 (MIA) - Gjigandi ushtarako-industrial "Lokid Martin" (Lockheed Martin) dhe kompania gjermane "Rajnmetall" (Rheinmetall) po krijojnë një sipërmarrje të përbashkët në Evropë për të prodhuar raketa amerikane, njoftuan sot disa media perëndimore.
Fabrika e re do të prodhojë raketa ATACMS dhe GMLRS me rreze veprimi deri në 300 dhe 150 kilometra, të destinuara për sistemet HIMARS dhe M270 MLRS, raketa Hellfire dhe JAGM për dronë dhe aeroplanë, si dhe raketa PAC-3 për sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot.
Armin Paperger, drejtor ekzekutiv i "Rajnmetall" deklaroi se kompania gjermane do të ketë 60 për qind të pronësisë në sipërmarrjen, ndërtimi i të cilës varet nga dhënia e dritës së gjelbër nga qeveria amerikane. Linja e prodhimit pritet të jetë funksionale brenda 12 deri në 13 muajsh, me një kapacitet të planifikuar prej 10,000 raketash dhe të njëjtin numër motorësh në vit.
Prodhuesit kryesorë të armëve në botë diskutuan idenë e krijimit të një sipërmarrjeje të përbashkët gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Qarkullimi fillestar vlerësohet në 1 deri në 2 miliardë euro, ndërsa të ardhurat e plota në 5 miliardë euro, duke pasur parasysh kërkesën: 600–800 ATACMS, 2,500 GMLRS, 5,000 Hellfire, 5,200 JAGM dhe 300 raketa PAC-3 në vit. Prodhimi i parë i motorëve pritet në vitin 2026, ndërsa i raketave në vitin 2027.
"Lokid Martin" konfirmoi se po punon me aleatët evropianë për të identifikuar mundësi të reja prodhimi për të përmbushur kërkesën globale për municione amerikane dhe sisteme goditjesh precize. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s