SHBA para sfidës shëndetësore: CDC në kaos pas shkarkimit të Monarez dhe emërimit të O'Neli
- Shtëpia e Bardhë ka emëruar Xhim O'Nil, investitor në bioteknologji dhe ish punonjës në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë administratës së Xhorxh V. Bush, si drejtor i përkohshëm i Qendrave për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC), konfirmoi një zyrtar për "Guardian".
- Post By Qefsere Abduli
- 13:33, 29 gusht, 2025
Uashington, 29 gusht 2025 (MIA) - Shtëpia e Bardhë ka emëruar Xhim O'Nil, investitor në bioteknologji dhe ish punonjës në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë administratës së Xhorxh V. Bush, si drejtor i përkohshëm i Qendrave për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC), konfirmoi një zyrtar për "Guardian".
Emërimi pritet të mbështesë qëllimet e sekretarit të shëndetësisë Robert F. Kenedi Junior për reformimin e politikës federale të vaksinave.
O'Nil vjenë në vendin e Suzan Monarez, eksperte për sëmundjet ngjitëse, e cila u shkarkua nga pozicioni i drejtoreshës së CDC-së pasi refuzoi të japë dorëheqje nën presionin e Kenedis dhe mbështetësve të tij. Avokatët e Monarez e përshkruan shkarkimin e saj si “hakmarrje të qëllimshme” për shkak të rezistencës së saj ndaj udhëzimeve joshkencore.
Shkarkimi i saj shkaktoi trazira në CDC, ndërsa katër zyrtarë të lartë, përfshirë edhe Demetre Daskalakis, drejtor i Qendrës kombëtare për imunizim dhe sëmundje respiratore, dhanë dorëheqje në shenjë proteste.
Daskalakis, në letrën e dorëheqjes të publikuar në rrjetin social X, deklaroi se nuk mund të shërbejë në një ambient që "shëndetin publik e kthen në armë". Ai i kritikoi ndryshimet në orarin e imunizimit, për të cilat tha se rrezikojnë jetën e fëmijëve dhe grave shtatzëna. Sipas tij, të dhënat që mbështesin këto ndryshime nuk janë ndarë kurrë me CDC-në, pavarësisht kërkesave të tij ndaj Ministrisë së Shëndetësisë (HHS).
O'Nil, për dallim nga Monarez, nuk ka trajnim në mjekësi apo në shkencat e sëmundjeve infektive. Ai më parë ka shkruar fjalime në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe më vonë ka punuar për investitorin teknologjik dhe donatorin konservator, Pitel Til. Gjatë pandemisë së Kovid-19, O'Nil publikisht ka mbështetur trajtime të pakonfirmuara si ivermektina, hidrosiklorokina dhe vitamina D si "profilaksi".
Doktor Xhorxhes Benxhamin, drejtor ekzekutiv i Shoqatës amerikane për shëndet publik, e quajti ndryshimin e udhëheqjes në CDC si "menaxhim i dështuar dhe administrim i pakujdesshëm" nga ana e Kenedit, duke e akuzuar për "mosrespektim të qartë të shkencës dhe fakteve". qa/
Foto: Ministria e Shëndetësisë së Amerikës