• e premte, 05 dhjetor 2025

SHBA braktisi bazën më të madhe ushtarake në Siri, SDF merr kontrollin

SHBA braktisi bazën më të madhe ushtarake në Siri, SDF merr kontrollin

Uashington, 3 qershor 2025 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshpejtuan tërheqjen nga dy baza ushtarake në provincën siriane lindore Deir ez-Zor, duke përfshirë edhe bazën më të madhe amerikane në Siri, thuhet në raportin e vëzhguesit ushtarak Observatori sirian për të drejtat e njeriut (SOHR).

Rami Abdulrahman, drejtor i Observatorit sirian për të drejtat e njeriut (SOHR), për "The New Region" tha se "gjatë orëve të fundit, forcat amerikane kanë kryer tërheqje të papritur nga dy baza të rëndësishme ushtarake  në rajonin rural lindor Deir ez-Zor". Bëhet fjalë për Al-Omar, bazën më të madhe amerikane në Siri, dhe pikat e gazit Konik, të cilat tani janë nën kontroll të Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequr nga kurdët.

Tërheqja filloi gradualisht më 18 maj, ndërsa është intensifikuar në dy ditët e fundit, me ç'rast karvanet amerikane të automjeteve të blinduara dhe pajisjet logjistike janë vërejtur duke u larguar nga pozicionet. SDF ka sistemuar komandat e tij në vendet e lira. Këto baza janë shënjestruar shpesh nga grupet e armatosura të mbështetura nga Irani në dy vitet e fundit.

SHBA, së bashku me koalicionin ndërkombëtar, luajtën një rol kyç në mposhtjen e grupit terrorist të Shtetit Islamik (SHI) në Siri, duke punuar me SDF-në, e cila mbetet aleati kryesor i saj. Uashingtoni ndërmjetësoi një armëpushim midis forcave të mbështetura nga Turqia dhe SDF-së më herët në vitin 2025. Forcat amerikane mbajnë një prani në bazën Shadadi, në jug të Hasakahut, ku vazhdojnë operacionet kundër mbetjeve të SHI.

Tërheqja ka ngritur shqetësime për një vakum të mundshëm fuqie në Sirinë verilindore, veçanërisht duke pasur parasysh situatën e brishtë të sigurisë. SHBA ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë në vitin 2012 për shkak të luftës civile, por muajt e fundit kanë filluar të punojnë me qeverinë e re në Damask pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit. sa/

foto: arkivi/ilustrim

QËNDRONI TË LIDHUR