Sharif: Të gjitha palët kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm
- Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif mëngjesin e sotëm njoftoi se Irani, SHBA-ja dje aleatët e saj kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe mbulon të gjitha zonat e konfliktit, përfshirë edhe Libanin.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:37, 8 prill, 2026
Islamabad, 8 prill 2026 (MIA) - Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif mëngjesin e sotëm njoftoi se Irani, SHBA-ja dje aleatët e saj kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe mbulon të gjitha zonat e konfliktit, përfshirë edhe Libanin.
Sharif deklaroi në X se të dyja palët kanë treguar "mençuri dhe mirëkuptim të jashtëzakonshëm" dhe kanë mbetur të angazhuara në mënyrë konstruktive për të arritur paqe dhe stabilitet.
Kryeministri pakistanez, gjithashtu, ftoi delegacionet e Iranit dhe SHBA-së të vijnë në Islamabad të premten, më 10 prill, për të vazhduar negociatat për një marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve.
Në ditët e fundit, Sharif ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekje për ndërmjetësim diplomatik mes palëve në konflikt, ndërsa dje i kërkoi presidentit amerikan, Donald Tramp, të shtyjë përshkallëzimin e planifikuar të sulmeve ndaj Iranit, raporton "Guardian".
Ai shpreson që "bisedat e ardhshme në Islamabad" do të çojnë në një paqe të qëndrueshme dhe paralajmëroi mundësinë për lajme të reja pozitive në ditët në vijim.
Presidenti amerikan, Donald Tramp, më herët deklaroi se pas bisedave me udhëheqësit e Pakistanit, ishte pajtuar për një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit për një periudhë dy javore.
Pak pasi presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se ishte arritur një marrëveshje për armëpushim dy javor, autoritetet iraniane lëshuan një deklaratë në të cilën konfirmohet marrëveshja, duke theksuar se ajo përfshin "ruajtjen e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit". qa/
Foto: Arkivi i MIA-s