• e enjte, 04 dhjetor 2025

Shërbimi evropian i pensioneve: Një në pesë evropianë rrezikon varfërinë në pleqëri

Shërbimi evropian i pensioneve: Një në pesë evropianë rrezikon varfërinë në pleqëri

Bruksel, 28 gusht 2025 (MIA) - Një në pesë evropianë tashmë është në rrezik të varfërisë në pleqëri, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian duhet të ndërmarrin menjëherë reformë të sistemit aktual pensional, paralajmëroi drejtoresha e Shërbimit evropian për sigurim dhe pension me seli në Frankfurt, Petra Hilkem.

"Kjo është një përqindje jashtëzakonisht e lartë, ndërsa për gratë rreziku është për 30 për qind më i madh", deklaroi Hilkem për Politiko.

Sipas saj, vendet e BE-së duhet të regjistrojnë automatikisht punonjësit në sistemet pensionale për të mbrojtur popullsinë, e cila po plaket me ritëm të përshpejtuar.

Situata vetëm do të përkeqësohet, dhe pas 40 vitesh do të ketë vetëm 1,5 të punësuar për çdo pensionist, që është dy herë më pak se raporti aktual.

Politiko shkruan se modeli standard evropian prej dekadash është mbështetur në sistemin shtetëror të pensioneve, i cili kujdeset për qytetarët e moshuar.

Një nga zgjidhjet për këtë situatë është krijimi i sistemeve pensionale private plotësuese, ose sisteme pensionale të lidhura me vendin e punës së të punësuarve, me qëllim që të sigurohet një fond mbi të cilin ata mund të mbështeten.

Vendet skandinave janë më të organizuarat në këtë drejtim, pasi kanë disa burime të ndryshme financimi për pensionistët, ndërkohë që shumë vende, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Jugore, mbështeten kryesisht në pensionet shtetërore, thekson "Politiko".

Hilkem, e cila që nga viti 2021 është në krye të Zyrës evropiane për sigurime dhe pensione (EIOPA), beson se ekziston një moment i përshtatshëm për ndryshime të mëdha, të cilat do t’i japin kësaj zyre një rol më të madh.

Në muajt e ardhshëm, Komisioni Evropian do të publikojë rekomandime për pensionet dhe burimet e tyre të financimit, me qëllim të përballimit të sfidave demografike dhe financiare në kuadër të BE-së.

Një masë kyçe është krijimi i një sistemi që automatikisht do t’i regjistrojë njerëzit në fondet pensionale të punësuarve.

Ajo shtoi se po punohet edhe për mënyra që vetëpunësuarit dhe ata me pagesa honorare të mund të kursejnë për fondin e tyre pensionar.

Në fund, qeveritë kombëtare do të duhet të nisin këto reforma, ndërsa çështja e pensioneve është politikisht shumë delikate, shkruan “Politiko”. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR