Shënimi i Ditëve të trashëgimisë evropiane 2025
- Me rastin e Ditëve të trashëgimisë evropiane 2025, të cilat këtë vit i kushtohen arkitekturës, sot mijëra ndërtesa dhe institucione kulturore në mbarë Evropën do t'i hapin dyert e veta për vizitorët, ndërkaq do të organizohen edhe ture turistike, ekspozita, punëtori, shfaqje dhe performansa digjitale.
- Post By Arta Bunjaku
- 07:32, 2 shtator, 2025
Bruksel, 2 shtator 2025 (MIA) - Me rastin e Ditëve të trashëgimisë evropiane 2025, të cilat këtë vit i kushtohen arkitekturës, sot mijëra ndërtesa dhe institucione kulturore në mbarë Evropën do t'i hapin dyert e veta për vizitorët, ndërkaq do të organizohen edhe ture turistike, ekspozita, punëtori, shfaqje dhe performansa digjitale.
"Fokusi këtë vit është tek arkitektura, jo vetëm si trashëgimi që duhet të ruhet, por edhe si regjistrim i gjallë për atë se si jetojnë bashkësitë, si adaptohen ndaj gjeneratave dhe si formojnë të ardhme më të qëndrueshme", kumtoi Komisioni evropian.
Qëllimi i fokusit në arkitekturën është të ofrohet shfaqje më e gjerë për rëndësinë e ndërtesave në praktikë, si ato janë bërë, për kë janë të dobishme dhe si i reflektojnë nevojat e ndryshueshme në shoqëri.
"Identiteti i secilit qytet, fshat dhe vendbanim në Evropë është formësuar nga arkitektura e tij. Ajo i jep rëndësi dhe ndjenjë përkatësie vendeve që i quajmë shtëpi", deklaroi eurokomisari për barazi mes gjeneratave, rini, kulturë dhe sport, Glen Mikalef, me rastin e shënimit të Ditëve të trashëgimisë evropiane.
Sipas tij, mënyra në të cilën e mbrojmë dhe vlerësojmë trashëgiminë tonë arkitektonike e reflekton atë Evropë që duam t'ua bartim gjeneratave të ardhshme.
"Ruajtja e asaj trashëgimie është respekt për të kaluarën tonë, ndërkaq njëherit edhe ndërtim i një kulture më inkluzive, sociale dhe ekologjike", shtoi Mikalef.
Ditët e trashëgimisë evropiane shënohen prej vitit 1989 me nismë të Këshillit të Evropës, ndërsa prej vitit 1999 shënimit të saj iu bashkangjit edhe Komisioni evropian, duke financuar projekte përmes programit "Evropa kreative". Vetëm për edicionin e këtij viti të Ditëve të trashëgimisë evropiane, Eurokomisioni ndau 400.000 euro.
Krahas numrit të madh të ngjarjeve dhe manifestimeve në kuadër të Ditëve të trashëgimisë evropiane ndahen edhe çmime me titullin "Evropa Nostra" për arritje të jashtëzakonshme të cilat promovojnë praktika më të mira dhe vendosin standarde të reja në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale dhe jomateriale të Evropës.
Fituesit e këtyre çmimeve për vitin 2025 do të kumtohen në ceremoninë e posaçme më 13 tetor në Bruksel. ab/
Foto: Komisioni evropian