Seul: Ushtria e Koresë së Veriut tërhiqet nga Kursku shkaku i humbjeve të mëdha
- Koreja e Veriut ka tërhequr trupat e saj nga fronti në rajonin rus Kursk për shkak të humbjeve të mëdha, njoftoi sot agjencia e lajmeve Jonhap e Koresë së Jugut, duke cituar Shërbimin informativ të Koresë së Jugut (NIS).
- Post By Fami Bajrami
- 11:34, 4 shkurt, 2025
Seul, 4 shkurt 2025 (MIA) - Koreja e Veriut ka tërhequr trupat e saj nga fronti në rajonin rus Kursk për shkak të humbjeve të mëdha, njoftoi sot agjencia e lajmeve Jonhap e Koresë së Jugut, duke cituar Shërbimin informativ të Koresë së Jugut (NIS).
Që nga mesi i janarit nuk ka "shenja" të pranisë ushtarake të Koresë së Veriut në luftimet në Kursk, njofton Jonhap.
Më parë, mediat ukrainase dhe amerikane, përfshirë edhe Nju Jork Tajmsin, raportuan për tërheqjen e trupave të Koresë së Veriut, kujton DPA.
Në raportin e NIS thuhet se një nga arsyet e tërheqjes me gjasë janë humbjet masive të ushtarëve nga Pheniani, por hetimi për situatën e plotë është ende në vijim.
Sipas vlerësimeve të NIS, rreth 300 ushtarë të Koresë së Veriut u vranë dhe rreth 2.700 të tjerë u plagosën në luftimet rreth Kurskut.
Koreja e Veriut ka dërguar rreth 12.000 trupa në Rusi për të luftuar kundër Ukrainës që nga fundi i vitit të kaluar. Që atëherë, NIS ka bashkëpunuar intensivisht me shërbimet e inteligjencës ukrainase.
foto: arkivi