• e premte, 05 dhjetor 2025

Senati arrin marrëveshje: Përfundon bllokada më e gjatë e buxhetit në historinë e SHBA-së

Senati arrin marrëveshje: Përfundon bllokada më e gjatë e buxhetit në historinë e SHBA-së

Uashington, 10 nëntor 2025 (MIA) – Senatorët amerikanë kanë arritur marrëveshje të përkohshme që do t'i japë fund paralizës buxhetore e cila bllokoi disa shërbime publike për një rekord prej 40 ditësh, bëjnë të ditur disa media.

Republikanët dhe demokratët në Senat ranë dakord të financojnë qeverinë deri në janar, informojnë Si-En-En dhe Foks Njuz.

Masa u vu në votim menjëherë, me sa duket me mbështetjen e një numri të mjaftueshëm të demokratëve dhe teksti më pas do t'i përcillet Dhomës së përfaqësuesve. Nëse edhe Dhoma e përfaqësuesve e pranon atë, propozimi do t'i dërgohet Donald Trampit për nënshkrim.

Ky hap përpara çon në normalizimin e situatës, duke pasur parasysh se funksionimi i trafikut ajror dhe pagesat e ndihmës sociale janë aktualisht në ndërprerje dhe qindra mijëra punonjës janë në grevë teknike ose kanë punuar pa rroga që nga 1 tetori.

"Mund të themi se po i afrohemi fundit të bllokadës së qeverisë", deklaroi presidenti Tramp para gazetarëve, teksa kthehej në Shtëpinë e Bardhë pas një fundjave në rezidencën e tij në Florida.

Sipas deputetëve, marrëveshja duhet të mundësojë vazhdimin e pagesave të ndihmës sociale për 42 milionë amerikanë që u ndërprenë për shkak të bllokimit të buxhetit, kthimin në punë të mijëra punonjësve të qeverisë dhe pagesën e pagave si dhe votimit për zgjatjen e programit të sigurimeve shëndetësore që skadon në fund të këtij viti.

Lideri demokrat i Senatit, Çak Shumer deklaroi se i vjen keq që kujdesi shëndetësor është temë votimi dhe jo miratim i drejtpërdrejtë. "Kjo luftë do të duhet të vazhdojë", tha ai në mbledhjen e senatit.

Për shkak të bllokadës së buxhetit e cila ndikoi në kontrollin e trafikut ajror, dje në SHBA janë anuluar më shumë se 2.700 fluturime dhe 10.000 u shtynë, bëri të ditur FlightAëare. Aeroportet e Njuark dhe LaGuardia në Nju Jork, O'Hara në Çikago dhe Hartsfild-Xhekson në Atlanta u prekën më së shumti.

Sekretari i Transportit, Shon Dafi dje paralajmëroi se bllokada e vazhdueshme e buxhetit mund t'i përkeqësojë gjërat, ndërsa afrohet Dita e falënderimeve. "Trafiku ajror do të jetë në minimum pasi të gjithë duan të udhëtojnë për të vizituar familjen", paralajmëroi ai.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR