• e hënë, 23 dhjetor 2024

Saracin në Kosovë në takime me Kurtin dhe Sveçlën

Saracin në Kosovë në takime me Kurtin dhe Sveçlën

Prishtinë, 30 tetor 2024 (MIA) - Përfaqësuesi special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin po qëndron në Kosovë, ku dje u takua me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa sot edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në kumtesën e Shërbimit të qeverisë për informim pas takimit në rezidencën e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rode, theksohet se Kurti dhe Saracin kanë diskutuar për "përforcimin dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe për çështje aktuale".

Kryeministri i Kosovës ka uruar emisarin gjerman për organizimin e suksesshëm të samitit me rastin e 10-të vjetorit të Procesit të Berlinit.

Kryeministri uroi Përfaqësuesin Special Manuel Saracin për një samit të suksesshëm në 10-vjetorin e Samitit të Berlinit këtë muaj, ku u nënshkrua një marrëveshje e re për qasje në studime, deklarata për Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 si dhe deklaratat e përbashkëta për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, për qasjen dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit dhe atë për standardet rajonale të ekzaminimit investimeve të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor", thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti theksoi se është e rëndësishme që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja vendet me letërnjoftime.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla, pas takimit të sotëm me Saracin, tha se është biseduar për masën për kontroll manual të sigurisë së mallrave që hyjnë nga Serbia, në pikën kufitare Merdarë.

Ai në faqen e tij në Fejsbuk ka shkruar se ky vendim po zbatohet me përkushtim, për hir të sigurisë së vendit "deri në funksionalizimin e sistemeve skaner "X".

"Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi. Biseduam po ashtu për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallërat që hyjnë nga Serbia në pikën kufitare në Merdarë. Zyrtarët tanë shtetëror po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve "X" që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare. Falënderova z. Saracin për angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal", shënoi Sveçla. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR