• e hënë, 23 dhjetor 2024

Saracin javën e ardhshme përsëri në Kosovë, do të marrë pjesë në Forumin e dytë ekonomik gjermano-kosovar

Saracin javën e ardhshme përsëri në Kosovë, do të marrë pjesë në Forumin e dytë ekonomik gjermano-kosovar

Prishtinë, 23 shtator 2024 (MIA) - I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, javën e ardhshme sërish do të qëndrojë në Kosovë, ku do të marrë pjesë në Forumin e dytë ekonomik gjermano-kosovar, që do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës më 2 dhe 3 tetor, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Krahas Saracinit, siç njoftoi Oda ekonomike gjermano-kosovare, në forum do të marrë pjesë edhe deputeti në Bundestag, Peter Bejer, si dhe përfaqësues të Qeverisë gjermane dhe kompanive të atjeshme.

“Së bashku me ekonomistë të shquar nga Kosova dhe Gjermania, ata do të diskutojnë për zhvillimet gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në ekonominë globale, rajonale dhe marrëdhëniet gjermano-kosovare. Në këtë forum do të tubohen mbi 700 mysafirë nga Kosova dhe Gjermania, mes të cilëve edhe përfaqësues të lartë nga të dyja vendet. Përfaqësues të nivelit të lartë nga Ministria Federale e Çështjeve Ekonomike dhe Aktivitet Klimatik, së bashku me përfaqësues ekzekutivë nga kompani të mëdha gjermane, do të jenë pjesë e paneleve që do të diskutojnë për zgjidhjet për energjinë, teknologjinë dhe industrinë”, thuhet në njoftim.

Forumi i sivjemë, siç njofton Oda gjermano-kosovare, ka për qëllim përforcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim, me programe të përkushtuara në zgjidhje teknologjike, energjetike dhe industriale. Ngjarja premton mundësi të jashtëzakonshme për rrjetëzimin dhe këmbimin e njohurive mes komuniteteve të biznesit të Kosovës dhe Gjermanisë.

Sipas organizatorit, forumi i parë, i mbajtur në vitin 2022, ka sjellur investim prej 20 milionë euro në sektorin prodhues në Kosovë, që e dëshmon rëndësinë e kësaj ngjarjeje për zhvillim ekonomik të vendit".

Saracin, i cili paradokohe e vizitoi Kosovën për të kërkuar heqjen e ndalesës së importit të produkteve serbe, të cilën Qeveria e Albin Kurtit e vendosi në maj të vitit 2023, paralajmëroi se Kosova mund të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Evropës Qendrore për tregti të lirë (CEFTA) dhe dënime tjera nëse nuk e heq atë ndalesë. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR