Sërish arrestohet ish-presidenti amerikan Tramp
- Ish-presidenti amerikan, Donald Tramp sot ka mbërritur në gjykatë në Majami për t’u përballur me akuzat federale, ku sërish zyrtarisht është arrestuar.
Uashington, 13 qershor 2023 (MIA) – Ish-presidenti amerikan, Donald Tramp sot ka mbërritur në gjykatë në Majami për t’u përballur me akuzat federale, ku sërish zyrtarisht është arrestuar.
Ai është akuzuar se ka mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente të klasifikuara dhe për gënjimin e nëpunësve të cilët u përpoqën t'i kthenin, por Trampi pohon se është i pafajshëm dhe premtoi se do ta vazhdojë fushatën për zgjedhjet në nëntor të vitit 2024.
Trampi është ish-presidenti i parë ose aktual i SHBA-së që përballet me kalëzime penale.
Por, sipas ekspertëve juridikë, kjo nuk e pengon atë të kandidohet apo të marrë detyrën e presidentit edhe nëse shpallet fajtor.
Është akuzuar edhe ish-ndihmësi i Trampit, Volt Nauta. Sipas aktakuzës, Nauta, së bashku me shefin e tij, para dhe pas bastisjes në Mar-a-Alago ka lëvizur dhe fshehur kutitë me informacione të klasifikuara. Ai u akuzua edhe për dhënien e deklaratave të rreme dhe të gabueshme në FBI.
Trampi u arrestua edhe në fillim të prillit të këtij viti në një gjykatë në Nju-Jork, për një rast mashtrimi në lidhje me paratë e paguara për një yll porno në vitin 2016. Ai akuzohet për shkelje të rregullave për financim të fushatës sepse dyshohet se ka paguar yllin porno Stormi Daniels që të heshtë për lidhjen e tyre, përpara zgjedhjeve presidenciale në të cilat ai mundi demokraten Hillari Klintonin. ar/
Foto: EPA