• e mërkurë, 01 janar 2025

Së paku 179 persona të vdekur në fatkeqësinë ajrore në Korenë e Jugut

Së paku 179 persona të vdekur në fatkeqësinë ajrore në Korenë e Jugut

Seul, 29 dhjetor 2024 (MIA) - Së paku 179 persona e kanë humbur jetën pasi që aeroplani doli nga pista e aeroportit ndërkombëtar Muan në Korenë e Jugut dhe u dogj, lajmëroi DPA.

Dy të mbijetuar, që të dy anëtarë të ekuipazhit, janë dërguar në spital pasi që aeroplani doli nga pista gjatë aterimit dhe u ndesh me rrethojën.

Paraprakisht, agjencia nacionale zjarrfikëse e vendit kumtoi se 84 gra, 82 burra dhe 11 të tjerë, gjinia e të cilëve nuk mund të verifikohej menjëherë, e kanë humbur jetën gjatë fatkeqësisë.

Në zyrën presidenciale në Seul u thirr takim urgjent, me të cilin kryesoi shefi i kabinetit Çung Xhin Suk, ku u bisedua për koordinim të ministrive për sigurimin e resurseve si ndihmë mjekësore.

Televizioni jugkorean emetoi video në të cilën shihet se si aeroplani rrëshqet në pistë pa pajisje të lëshuar për aterim, goditet në fund të pistës dhe digjet.

Aeroplani ishte Boing 737-800 që kthehej nga Bangkoku, ndërsa fatkeqësia ndodhi në orën 9:20 (0003 GMT), kumtoi Ministria e transportit.

"Aeroplani është shkatërruar pothuajse tërësisht dhe është vështirë të identifikohen të vdekurit", deklaroi një përfaqqësues i shërbimit zjarrfikës.

Në fluturimin e kompanisë ajrore Çexhu Er (Jeju Air) ka pasur 175 udhëtarë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit.

Drejtori ekzekutiv i Jeju Air, Kim E-Bae tha se kompania ajrore ka shprehur ngushëllime të thella.

"Për momentin, fillimisht duhet të konstatohet shkaku i saktë i fatkeqësisë dhe duhet të presim hetim zyrtar nga agjencitë qeveritare", theksoi Kim në kumtesë.

"Pa marrë parasysh shkakun, unë do të marr përgjegjësinë e plotë si drejtori kryesor ekzekutiv".

Autoritetet dyshojnë se goditja nga zogjtë ka shkaktuar fatkeqësinë, në bazë të hetimeve fillestare.

Ushtruesi i detyrës president i Koresë së Jugut, Çoi Sang Mok e vizitoi vendin e fatkeqësisë dhe i urhdëroi agjencitë ta shfrytëzojnë tërë pajisjen e disponueshme, personelin dhe infrastrukturën për "të shpëtuar edhe një jetë".

Çoi ishte ushtrues detyre i presidentit nga e premtja, pasi që deputetët votuan për impiçment të ushtruesit të atëhershëm të detyrës së presidentit, Han Dak Su, mezi dy javë pasi që Jun Suk Jeol u hoq nga funksioni i presidentit për shkak të vendosjes së gjendjes së luftës.

Ministria jugkoreane e Mbrojtjes kumtoi se në aeroport janë sistemuar rreth 180 persona, automjete zjarrfikëse dhe auto-ambulanca.

Të gjitha fluturimet e tjera drejt dhe nga aeroporti Muan janë anuluar. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR