• e premte, 05 dhjetor 2025

Rute: Samiti i NATO-s në Hagë do të sjellë plan të ri për investime në mbrojtje

Rute: Samiti i NATO-s në Hagë do të sjellë plan të ri për investime në mbrojtje

Bruksel, 4 qershor 2025 (MIA) - Plani i ri për investime në mbrojtje do të jetë tema kryesore e Samitit të NATO-s që do të mbahet në fund të muajit në Hagë, aspekti kryesor i të cilit është rritja e investimeve për të përmbushur nevojat e kërkesës së shtuar dhe për të zgjeruar prodhimin e mbrojtjes, njoftoi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute. 

"Bota po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Ekziston një luftë brutale e Rusisë kundër Ukrainës, kërcënim nga terrorizmi dhe intensifikim të konkurrencës globale. Do të vazhdojmë t'i mbrojmë njerëzit tanë dhe mënyrën tonë të jetesës. Prandaj duhet ta bëjmë NATO-n një aleancë më të fortë, më të drejtë dhe më të përgatitur për luftë", deklaroi Rute në konferencën për media në prag të takimit të nesërm të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. 

Ai theksoi se në këtë takim ministror do të ndërmerret një hap i madh përpara në forcimin e kapaciteteve të NATO-s për parandalimin dhe mbrojtjen, përmes harmonizimit të objektivave të reja ambicioze.

Sipas Rutes, në takim do të diskutohet për përgatitjet e Samitit në Hagë dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe nevojën urgjente për paqe, ndërsa do të merren edhe vendime kyçe për përmirësimin e mekanizmave të parandalimit dhe mbrojtjes së Paktit.  

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s theksoi se për këtë qëllim, Aleanca ka nevojë për më shumë burime, forca dhe kapacitete, në mënyrë që të jetë e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe të zbatojë plotësisht planet e saj për mbrojtjen kolektive. 

Rute theksoi gjithashtu se është e nevojshme që armatat e vendeve anëtare të NATO-s të kenë kapacitetet kritik që u nevojiten. 

Sipas tij, në takimin e nesërm ministror do të flitet edhe për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Ukrainën dhe për nevojën për t'i dhënë fund luftës së tmerrshme, ndërsa në këtë kontekst, pasdite do të mbahet edhe mbledhja e Grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës nën udhëheqjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. 

Ai njoftoi gjithashtu se ministrat e Mbrojtjes të NATO-s nesër do të takohen me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas si dhe me homologun e tyre ukrainas, Rustem Umerov i cili do të informojë për zhvillimet më të fundit në fushën e betejës dhe vlerësimet e Kievit mbi përpjekjet për arritjen e paqes. 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s paralajmëroi se takimi i nesërm ministror do të përfundojë me mbledhjen e rregullt të Grupit për planifikim bërthamor, duke shtuar se qëllimi themelor i kapaciteteve bërthamore të Aleancës është ruajta e paqes, parandalimi i presioneve dhe shmangia e agresionit. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR