• e premte, 05 dhjetor 2025

Rute: Në Samitin në Hagë do të miratojmë vendime historike që qytetarët tanë të jenë më të sigurt

Rute: Në Samitin në Hagë do të miratojmë vendime historike që qytetarët tanë të jenë më të sigurt

Bruksel, 25 qershor 2025 (MIA) - Historia ka dëshmuar se kur Amerika Veriore dhe Evropa punojnë së bashku, kjo paraqet një kombinim fitues dhe kundërshtarët tanë e dinë këtë, deklaroi sot Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute në fjalimin e tij hapës në fillim të pjesës së punës së Samitit të Paktit që mbahet në Hagë të Holandës.

"Po përballemi me një moment të rrezikshëm për një miliard qytetarët tanë. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po merr hov. Grupimi agresiv i kundërshtarëve përpiqet të na përçajë dhe të na sfidojë. Në Lindjen e Mesme ka luftë, terrorizmi paraqet kërcënim të vazhdueshëm dhe teknologjitë e reja sjellin mundësi, por edhe sfida shumë serioze të sigurisë", ka thënë Rute.

Të përballur me këtë situatë, sipas Rutes, anëtaret e NATO-s mbeten të bashkuar në aleancën më të fuqishme mbrojtëse në historinë botërore, Neni 5 i dokumentit themelues të së cilës parasheh se një sulm ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve që dërgon një mesazh të fuqishëm.

"Në këtë takim do të miratojmë vendime historike transformuese për t'i bërë njerëzit tanë më të sigurt, përmes një NATO më të fortë, më të drejtë dhe më luftarake. Për ta bërë NATO-n më të fortë, ne kemi një plan konkret që të gjithë aleatët të shpenzojnë pesë përqind të BPV-së për mbrojtje - një pjesë e saj do të orientohet drejt mbrojtjes bazë, ndërsa një pjesë drejt investimeve në mbrojtje dhe siguri", ka thënë Rute.

Rute iu drejtua presidentit amerikan, Donald Tramp duke thënë se ai ka mundësuar këtë ndryshim brenda NATO-s.

"Liderizmi juaj ka rezultuar tashmë me 1 trilion dollarë shpenzime shtesë nga aleatët evropianë që nga viti 2016. Vendimet e sotme do të rezultojnë në triliona shtesë për mbrojtjen tonë të përbashkët, për të na bërë më të fortë dhe më të drejtë në barazimin e kostove midis Amerikës dhe aleatëve të saj", theksoi Rute.

Ai shtoi se Samiti do të vendos gjithashtu për rritjen e mëtejshme të prodhimit të mbrojtjes, duke siguruar kështu që forcat e armatosura të NATO-s të pajisen me gjithçka që u nevojitet.

Ai potencoi se në kushte të kërcënimit afatgjatë nga Rusia, rritjes masive të potencialit ushtarak kinez dhe mbështetjes së Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit dhe përpjekjeve ushtarake ruse në Ukrainë, me të vërtetë është e rëndësishme anëtaret e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtje. 

“Ajo do të jetë agjenda kryesore sot – plan i ri kur bëhet fjalë për shpenzimet dhe për fuqizimin e prodhimtarisë industriale mbrojtëse”, tha Rute. 

Nikoqiri i Samitit, kryeministri holandez Dik Shouf, deklaroi se është i bindur se pas Samitit të sotëm, Haga do të njihet edhe si qytet me qëllim kolektiv, unitar dhe vendosmëri.

"Jemi në rrugën e duhur për të shkruar histori. Jemi në rrugën e duhur për të marrë vendime që do të çojnë në rritje të shpenzimeve tona të mbrojtjes kolektive dhe në një ekuilibër të ri financiar në aleancën tonë. Të dyja janë urgjente dhe të nevojshme, dhe të dyja do të ndihmojnë që lidhja jonë atlantike të bëhet edhe më e fortë, në mënyrë që të mund të realizojmë parimet tona themelore të demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit, siç përcaktohen në Marrëveshjen e Uashingtonit", tha Shouf.

Në këtë samit, bashkë me shefat e shteteve dhe qeverive anëtare të NATO-s, merr pjesë edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

Foto: NATO

QËNDRONI TË LIDHUR