Rute: Aleatët evropianë nuk duhet të shqetësohen për mbështetjen e SHBA-së për NATO-n
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot deklaroi se aleatët evropianë nuk duhet të shqetësohen për përkushtimin e SHBA-së ndaj NATO-s.
Hagë, 24 qershor 2025 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot deklaroi se aleatët evropianë nuk duhet të shqetësohen për përkushtimin e SHBA-së ndaj NATO-s.
“Ekziston një përkushtim i plotë nga presidenti amerikan (Donald Trump) dhe udhëheqja e lartë e SHBA-së ndaj NATO-s”, tha Rute para fillimit të samitit të NATO-s, duke shtuar se një mbështetje e tillë vjen me pritjen që vendet evropiane dhe Kanadaja do të shpenzojnë më shumë për mbrojtje.
Sot në Hagë fillon samiti dy-ditor i NATO-s, ku pjesëmarrësit do të diskutojnë për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, forcimin e prodhimit të mbrojtjes dhe vazhdimin e ndihmës për Ukrainën.
Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, deklaroi se pret tre rezultate të rëndësishme nga samiti i NATO-s.
“I pari, sigurisht, është vendimi për pesë për qind të shpenzimeve të mbrojtjes, për të cilin duhet të bien dakord 32 aleatë. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm, një vendim historik për të forcuar mbrojtjen tonë dhe zmbrapsjen e Rusisë në të ardhmen”, deklaroi ai për Ukrinform, duke shtuar se në samit do të diskutohet edhe për industrinë e e mbrojtjes dhe për mbështetjen për Ukrainën. ls/
Foto: EPA