Rusia prej fillimit të vitit ka rekrutuar 230.000 ushtarë
- Mbi 230.000 ushtarë janë rekrutuar në armatën ruse prej fillimit të vitit, deklaroi ish-presidenti Dmitri Medvedev, përderisa ofensiva ruse në Ukrainë vazhdon në muajin e tetëmbëdhjetë.
- Post By Arta Bunjaku
- 07:49, 4 gusht, 2023
Moskë, 4 gusht 2023 (MIA) - Mbi 230.000 ushtarë janë rekrutuar në armatën ruse prej fillimit të vitit, deklaroi ish-presidenti Dmitri Medvedev, përderisa ofensiva ruse në Ukrainë vazhdon në muajin e tetëmbëdhjetë.
"Nga 1 janari deri më 3 gusht (...) mbi 231.000 njerëz u angazhuan sipas kontratës", tha Medvedev.
Ish-presidenti rus, i cili për momentin e kryen funksionin e zëvendës sekretarit të Këshillit rus të sigurisë, në maj kumtoi se armata ka rekrutuar 120.000 njerëz në atë kohë.
"Detyra është në të ardhmen të bëhet shërbim sa më atraktiv sipas kontratës", sepse armatës ruse i nevojiten rekrutë për ta zbatuar ofensivën në Ukrainë.
Ai nuk tha se sa gjatë do të jetë trajnimi i rekrutëve të ri para se të hyjnë në njësitë e frontit të cilat prej fillimit të qershorit po tentojnë ta ndalin kundër-ofensivën ukrainase në jug dhe në lindje të Ukrainës.
Fushata për rekrutim po zbatohet përmes rrjeteve sociale dhe shpalljeve të rrugë të cialt promovojnë shërbim ushtarak dhe premtojnë kushte jashtëzakonisht atraktive për ushtarët e ardhshëm.
"Së bashku me rrogën dhe të drejtat sociale, rekrutët i ruajnë vendet e tyre civile të punës 'gjatë shërbimit ushtarak', ndërsa të gjitha kreditë që ndoshta i kanë janë ngrirë", tha Medvedev.
Në shtator të vitit 2022, për shkak të humbjeve në front, autoritetet ruse duhej të bënin mobilizim të pjesërishëm të forcave rezerve, me ç'rast u mobilizuan së paku 300.000 njerëz, ndërsa dhjetëra mijë ikën jashtë vendit.
Në fund të dhjetorit të vitit 2022, ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu vlerësoi se është "e domosdoshme" të rritet numri i ushtarëve rusë në 1,5 milion - prej të cilëve 695.000 janë me kontratë" - që është mbi 1,15 milion që presidenti rus Vlladimir Putin i planifikoi në gusht. ab/
Foto: МIА arkivi