• e martë, 24 dhjetor 2024

Rusia paralajmëroi stërvitje të mëdha ushtarake, larg Ukrainës

Rusia paralajmëroi stërvitje të mëdha ushtarake, larg Ukrainës
Moskë, 26 korrik 2022 (MIA) - Rusia nga fundi i gushtit planifikon të realizojë stërvitje strategjike ushtarake në pjesën lindore të vendit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Moskë, mijëra kilometra të larguar nga lufta në Ukrainë. Stërvitjet "Lindje" do të mbahen prej 30 gusht deri 5 shtator. Analistët komentojnë se qëllimi i tyre është që të dërgojnë porosi se Rusia, edhe krahas luftës së shtrenjtë pesëmuajshe në Ukrainë, megjithatë mbetet e përqendruar në mbrojtjen e të gjithë territorit të saj dhe se ushtarakisht është e aftë të funksionojë normal. Në kumtesë, Ministria thekson se aftësia e tyre që të mbajnë stërvitje të këtilla nuk ka të bëjë me, siç e quajnë "operacionin special ushtarak" në Ukrainë. Bëhet e ditur se Rusia nuk ka anuluar kurrfarë aktivitetesh për trajnim ose bashkëpunim ndërkombëtar dhe se i gjithë personeli i nevojshëm, armë dhe pajisje do të marrë pjesë në stërvitje. "I kushtojmë vëmendje faktit se vetëm një pjesë e forcave të armatosura të Federatës Ruse janë të përfshira në operacionin ushtarak në Ukrainë dhe ai është numër i mjaftueshëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të vendosura nga komandanti suprem", thuhet në kumtesë. Stërvitjet e ardhshme do të mbahen në Rajonin ushtarak lindor, i cili përfshin pjesë të Siberisë, ndërsa selia është në Habarovsk në afërsi të kufirit kinez. Do të përfshihen edhe disa forca të huaja, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, por nuk tregoi saktësisht se cilat vende. Vitin e kaluar, njësi ushtarake nga Armenia, Kazakistani, Kirgistani dhe Mongolia morën pjesë në stërvitje të mëdha ushtarake në Rusi dhe Bjellorusi. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR