Rusia kërkon bisedime me Ukrainën pa përfaqësuesit e Turqisë dhe SHBA-së, pohon një burim diplomatik ukrainas
- Rusia kërkon që bisedimet me Ukrainën në Stamboll të mbahen pa përfaqësuesit e SHBA-së dhe Turqisë, deklaroi sot burimi diplomatik ukrainas për Rojtersin, duke shtuar se ky veprim tregon se Moska po "minon përpjekjet për paqe".
- Post By Qefsere Abduli
- 13:40, 16 maj, 2025

Stamboll, 16 maj 2025 (MIA) - Rusia kërkon që bisedimet me Ukrainën në Stamboll të mbahen pa përfaqësuesit e SHBA-së dhe Turqisë, deklaroi sot burimi diplomatik ukrainas për Rojtersin, duke shtuar se ky veprim tregon se Moska po "minon përpjekjet për paqe".
"Edhe një shenjë se pala ruse po i minon përpjekjet për paqe. Kemi ardhur të udhëheqim bisedime serioze, ndërsa rusët vendosin kërkesa dhe kushte. Kjo na shtynë të dyshojmë nëse presidenti rus Vlladimir Putin i ka dërguar ta zgjidhin problemin apo vetëm ta pengojnë procesin", tha burimi, i cili dëshiroi të mbetet anonim.
Sipas pohimeve të tij, arsyeja pse rusët frikësohen nga prania e SHBA-së në këto bisedime është se ata "duan ta ndalojnë procesin, e jo t'i zgjidhin problemet" dhe duan që këtë ta fshehin nga Uashingtoni.
Në Stamboll përfundoi mbledhja e përfaqësuesve të Turqisë, SHBA-së dhe Ukrainës, që mbahet në Pallatin presidencial Dollmabahçe dhe zgjati pak më shumë se një orë, deklaruan për agjencinë Anadolia burime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë.
Pritet që në çdo moment të fillojnë bisedimet e para të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës që nga pranvera e vitit 2022, ndërsa delegacioni rus, i udhëhequr nga ndihmësi i presidentit rus, Vlladimir Medinski, tashmë ka mbërritur në pallatin Dollmabahçe.
Medinski mbrëmë deklaroi se qëllimi i bisedimeve të drejtpërdrejta me palën ukrainase është vendosja e paqes afatgjatë dhe zgjidhja e shkaqeve rrënjësore të krizës. qa/bsh/
Foto: EPA