Rusia e sulmoi Ukrainën me dronë dhe raketa, Polonia ngriti në ajër aeroplanë ushtarakë
- – Rusia filloi sulm të madh me raketa dhe dronë mbi qytetet ukrainase gjatë natës, me çka u vra të paktën një person, ndërsa u plagosën 13 të tjerë.
- Post By Fitore Curri
- 10:18, 20 shtator, 2025
Kiev, 20 shtator 2025 (MIA) – Rusia filloi sulm të madh me raketa dhe dronë mbi qytetet ukrainase gjatë natës, me çka u vra të paktën një person, ndërsa u plagosën 13 të tjerë.
Shpërthime u dëgjuan në qytetet Pavlograd dhe Nikollaev rreth orës 4:40 të mëngjesit sipas kohës lokale, njoftuan autoritetet lokale. Shpërthime shtesë më vonë u dëgjuan në rajonin Dnjepër pak pas orës 6 të mëngjesit.
Guvernatori i zonës Dnepropetrovsk, Sergej Lisak, njoftoi se një person është vrarë, ndërsa 13 të tjerë janë plagosur në sulmin mbi këtë rajon. Në Dnepropetrovsk, disa rrokaqiej, shtëpi dhe garazhe ishin dëmtuar në sulm. Zjarre ishin raportuar edhe në Pavlograd dhe Nikopol.
Në rajonin Kiev, administrata rajonale ushtarake njoftoi se sulme janë raportuar në bashkësitë Buçë, Borispil dhe Obuhiv. Një shtëpi, 10 njësi garazhi dhe pesë automobila të parkuar ishin dëmtuar në sulm.
Kryetari i Nikollaevit, Olesandër Senkeviç, njoftoi se dëmi është shkaktuar në pjesën banesore të qytetit të tij, por deri më tani nuk janë raportuar viktima.
Paralajmërimet për sulme ajrore u aktivizuan në të gjitha rajonet e vendit rreth orës 5:45 të mëngjesit sipas orës lokale dhe përfunduan rreth orës 7 të mëngjesit. Forcat Ajrore Ukrainase raportuan se dhjetëra dronë, si dhe raketa kryqëzuese dhe balistike, fluturuan mbi territorin ukrainas gjatë sulmit.
Guvernatori i rajonit të Lvivit, Maksim Kozicki, njoftoi se dy raketa kryqëzuese u rrëzuan mbi rajon, pa shkaktuar viktima apo dëme. Në mes të sulmit, Forcat Ajrore Polake ngritën në ajër aeroplanë luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore polake.
"Aeroplanët polakë dhe aleatë po operojnë në hapësirën tonë ajrore, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar janë në nivelin më të lartë të gatishmërisë", thuhet në kumtesën e komandës operative në gazetën "Esd".
Sulmi ndodhi pak më shumë se një javë pasi dronët rusë shkelën hapësirën ajrore polake, duke e detyruar Forcën Ajrore Polake të rrëzonte disa dronë mbi territorin e NATO-s për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. fc/
Foto: Arkivi i EPA-s