• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Rusia e shpalli REL "një organizatë të padëshirueshme"

Rusia e shpalli REL

Moskë, 20 shkurt 2024 (MIA) - Rusia e shpalli Radion Evropa e Lirë (REL) një "organizatë të padëshirueshme", sipas regjistrit të drejtuar nga Ministria e Drejtësisë e vendit.

Përditësimi i fundit i regjistrit tregon se REL është shënuar si "e padëshirueshme" që nga 20 shkurti. Sipas të dhënave, REL është entiteti i 142-të që përcaktohet si i tillë.

Më herët, Zyra e Kryeprokurorit vendosi të shënojë aktivitetet e korporatës si të padëshirueshme në Rusi, raporton REL duke iu referuar Tass.

Ligji për “organizata të padëshirueshme” është miratuar më 2015, dhe është përkrahur prej Kremlinit, për të rregulluar organizatat joqeveritare që pranojnë fonde prej jashtë.

Radio Evropa e Lirë është një kompani mediatike e pavarur editoriale e financuar nga një grant nga Kongresi Amerikan përmes Agjencisë Globale të Mediave të SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë shpërndan informacion në 27 gjuhë në 23 vende ku liria e medias është e kufizuar ose gazetaria profesionale është e pazhvilluar.

Gjykata e Moskës e shpalli të falimentuar biznesin e Radios Evropa e Lirë në Rusi marsin e kaluar pasi kompania refuzoi të paguante gjoba të shumta që arrijnë në më shumë se 1 miliardë rubla (14 milionë dollarë) për shkeljen e të ashtuquajturit ligj për agjentët e huaj.

Ligji, i vendosur në vitin 2012, fillimisht kishte për qëllim organizatat joqeveritare dhe grupet e të drejtave të njeriut, por që atëherë është zgjeruar duke përfshirë organizatat e medias, gazetarët individualë, blogerët në Jutjub, në fakt këdo që financohet jashtë Rusisë dhe, sipas mendimit të Kremlini, shpreh një opinion politik.

Radio Evropa e Lirë raportoi më parë se ligji përbën censurë politike që synon të pengojë gazetarët të kryejnë detyrat e tyre profesionale dhe po sfidon lëvizjet e qeverisë në gjykatat ruse dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Radio Evropa e Lirë mbylli qendrën e saj korrespondente në Moskë më 6 mars 2022, disa ditë pasi Shërbimi Federal i Taksave paraqiti një kërkesë në Gjykatën e Arbitrazhit në Moskë për falimentimin e detyrueshëm të REL.

Më 13 mars të vitit të kaluar, gjykata e arbitrazhit në Moskë përmendi si arsye "paaftësinë" e REL/RS, e cila përfaqëson interesat e Radios Evropa e Lirë në Rusi dhe llogaritë e së cilës u ngrinë në maj të 2021, për të shlyer borxhin.

Pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë dhe vendosi censurë ushtarake në mars 2022, rregullatori rus i medias Roskomnadzor bllokoi faqet e internetit të Radios Evropa e Lirë në vend. sa/

Foto: REL

QËNDRONI TË LIDHUR