Rusia dhe Kina kundërshtojnë luftën në hapësirë dhe luftën bërthamore
- – Rusia dhe Kina në një deklaratë të përbashkët kundërshtuan përpjekjet e vendeve që ta shfrytëzojnë hapësirën për përleshje të armatosura potenciale, ndërsa gjithashtu e konfirmuan përkushtimin ndaj deklaratës së liderëve të pesë vendeve me armë bërthamore nga viti 2022 për parandalim të luftës bërthamore.
- Post By Fitore Curri
- 17:35, 8 maj, 2025

Moskë, 8 maj 2025 (MIA) – Rusia dhe Kina në një deklaratë të përbashkët kundërshtuan përpjekjet e vendeve që ta shfrytëzojnë hapësirën për përleshje të armatosura potenciale, ndërsa gjithashtu e konfirmuan përkushtimin ndaj deklaratës së liderëve të pesë vendeve me armë bërthamore nga viti 2022 për parandalim të luftës bërthamore.
“Kundërshtojmë përpjekjet e disa vendeve që ta shfrytëzojnë hapësirën me qëllim të konfrontimit të armatosur dhe do të kundërshtojmë politikën e sigurisë dhe aktivitete të drejtuara drejt arritjes së superioritetit ushtarak dhe njohje zyrtare dhe shfrytëzim të hapësirës si hapësirë luftarake”, bëhet e ditur në tekstin e deklaratës.
Përveç kësaj, në deklaratë thirren vendet me armë bërthamore të ndërmarrin aksione konkrete që të parandalohen lufta bërthamore dhe gara në armatosje.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Si Xhinping paraprakisht sot nënshkruan më shumë se 20 dokumente për bashkëpunim, duke përfshirë deklaratë për thellimin e partneritetit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit strategjik mes të dyja vendeve.
Presidenti kinez Si Xhinping deklaroi se Kina dhe Rusia duhet të vazhdojnë ta thellojnë bashkëpunimin praktik në zona të ndryshme dhe të vendosin themele të fuqishme për bashkëpunim strategjik gjithëpërfshirës. fc/
Foto: EPA