• e hënë, 23 dhjetor 2024

Rumania është nikoqire e Samitit të Nismës "Tre detet"

Rumania është nikoqire e Samitit të Nismës

Bukuresht, 6 shtator 2023 (MIA) - Presidenti rumun Klaus Johanis sot do të jetë nikoqir i Samitit të Nismës "Tre detet" në Bukuresht.

Ngjarja përfshin përfaqësues nga të 12 vendet pjesëmarrëse në nismë (Austria, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia, Sllovenia, Rumania), si dhe partnerët strategjikë - SHBA, Komisioni Evropian dhe Gjermania.

Në forum do të ketë mysafirë nga Greqia, Ukraina, Republika e Moldavisë, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Turqia dhe nga organizata ndërkombëtare si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore.

Rumania është e para nga vendet pjesëmarrëse në nismën "Tre detet" që organizon një samit për herë të dytë. Gjatë forumit, Klaus Johanis do të prezantojë rezultatet e mandatit të vendit në krye të nismës (qershor 2022 – shtator 2023).

Në fund të diskutimeve pritet që të miratohet deklarata e përbashkët, me të cilën Greqia do të bëhet vendi i 13-të pjesëmarrës në nismën si anëtare me të drejta të plota, ndërsa Ukraina dhe Republika e Moldavisë do të marrin statusin e anëtarëve të asociuar. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR