Rubio në EBA para bisedimeve kyçe për të ardhmen e Gazës
- Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio sot është për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), që është ndalesa e fundit e turneut të tij në Lindjen e Afërt, në kuadër të së cilit u mbajt edhe takimi i djeshëm ndërmjet delegacioneve amerikane dhe ruse në kryeqytetin saudit Riad.

Abu Dhabi, 19 shkurt 2025 (MIA) - Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio sot është për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), që është ndalesa e fundit e turneut të tij në Lindjen e Afërt, në kuadër të së cilit u mbajt edhe takimi i djeshëm ndërmjet delegacioneve amerikane dhe ruse në kryeqytetin saudit Riad.
Rubio mbërriti në Abu Dabi mëngjesin e sotëm, ku do të pritet nga presidenti sheik Mohamed bin Zajed Al Nahjan dhe ministri i Punëve të Jashtme Sheik Abdullah bin Zajed Al Nahjan.
Vizita e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe vjen në prag të takimit që të premten do të mbahet në Arabinë Saudite, në të cilin do të marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, si dhe përfaqësues nga Egjipti dhe Jordania, për të diskutuar për planet e presidentit amerikan Donald Tramp për Rripin e Gazës.
Uashingtoni, i cili ka përjashtuar çdo pjesëmarrje të mundshme të Hamasit në të ardhmen, u ka bërë thirrje vendeve arabe, të cilat kundërshtojnë fuqishëm zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, të propozojnë zgjidhje alternative për planin e Trampit. Presidenti amerikan ka propozuar që SHBA të marrë kontrollin e Gazës së shkatërruar nga lufta, ndërsa popullsia palestineze prej 2,4 milionë të vendoset në vendet e treta, kryesisht në Egjipt dhe Jordaninë fqinje.
Dje në Arabinë Saudite, Rubio zhvilloi bisedime me princin e kurorës Mohamed bin Salman, duke theksuar "rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për Gazën që do të kontribuojë në sigurinë rajonale".
Të dielën, gjatë ndalesës së parë të turneut të tij në Jerusalem, Rubio shprehu mbështetje të fortë për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, duke i dhënë de fakto "kart-blansh" për të vepruar në Rripin e Gazës, ku nga 19 janari është në fuqi një armëpushim i brishtë. ls/
Foto: Printskrin Jutjub