Rubio: Mendoj se Izraeli e kupton se pengjet nuk mund të lirohen në mes të sulmeve ajrore
- Lufta në Gazë ka dëmtuar imazhin publik të Izraelit, deklaroi Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio.
- Post By Fami Bajrami
- 09:26, 6 tetor, 2025
Uashington, 6 tetor 2025 (MIA) – Lufta në Gazë ka dëmtuar imazhin publik të Izraelit, deklaroi Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio.
Ai e bëri këtë koment pasi Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF), publikuan se do të ndërpresin operacionet ofensive në Gazë, pas marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit e cila u propozua javën e kaluar nga presidenti amerikan, Donald Tramp.
"Na pëlqen apo jo, kemi parë vende si Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja dhe të tjera të shprehin mbështetje - ose të paralajmërojnë mbështetje - për një shtet palestinez. Edhe në politikën tonë të brendshme, kemi parë disa sulme ndaj Izraelit", tha Rubio dje në emisionin Face the Nation të CBS.
"Mendoj se kjo është pika që po thekson presidenti - pavarësisht nëse besoni se veprimet e Izraelit ishin të justifikuara apo jo, nuk mund ta injoroni ndikimin që ato kanë pasur në imazhin global të Izraelit", shtoi ai.
Izraeli deri më tani e ka hedhur poshtë thirrjen e Trampit për ndërprerje të menjëhershme të sulmeve ajrore në enklavën palestineze, ku numri i viktikmave që nga tetori i vitit 2023, sipas burimeve palestineze ka tejkaluar 67.000.
Megjithatë, Rubio shprehu besimin se Izraeli do t'i ndalojë sulmet sapo të finalizohet marrëveshja e shkëmbimit të të burgosurve. "Kur të dakordohen detajet logjistike se si do të zbatohet kjo - mendoj se izraelitët dhe të gjithë të tjerët e kuptojnë se pengjet nuk mund të lirohen në mes të sulmeve ajrore, kështu që sulmet do të duhet të ndërpriten", tha ai.
Edhe pse Hamasi ka rënë dakord të dorëzojë të gjithë pengjet e mbetura izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, deri më tani ka refuzuar të çarmatoset. Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka refuzuar të angazhohet për tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës.
Foto: arkivi i MIA-s