Rubio i ka transmetuar Lavrovit se SHBA-ja mund të heqë dorë nga marrëveshja paqësore nëse nuk ka shenja të qarta se mund të arrihet
- – SHBA-ja duhet të vendosë në afat prej disa ditëve nëse marrëveshja për armëpushim për dhënien fund të luftës në Ukrainë është e “realizueshme”, deklaroi sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio.
- Post By Fitore Curri
- 10:44, 18 prill, 2025

Uashington/Moskë, 18 prill 2025 (MIA) – SHBA-ja duhet të vendosë në afat prej disa ditëve nëse marrëveshja për armëpushim për dhënien fund të luftës në Ukrainë është e “realizueshme”, deklaroi sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio.
Pas bisedimeve të djeshme në Paris me përfaqësues evropianë dhe ukrainas për konfliktin trevjeçar në Ukrainë, Rubio theksoi se SHBA-ja do të ndalojë të bëjë përpjekje që të arrijnë marrëveshje paqësore nëse nuk paraqiten shenja të qarta se ajo mund të arrihet.
Theksoi se presidenti amerikane Donald Tramp ende është i interesuar për marrëveshje, por ka shumë prioritete të tjera në mbarë botën dhe se është i gatshëm të vazhdojë më tutje, por vetëm nëse ka shenja për progres.
Në bisedimet në Paris për konfliktin në Ukrainë ishin përfshirë presidenti francez Emanuel Makron, i dërguari i posaçëm amerikan, Stiv Uitkof, ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dejvid Lami, përfaqësues zyrtarë gjermanë dhe ministra ukrainas.
Takim i ri i përfaqësuesve të SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Ukrainës do të mbahet javën e ardhshme në Londër.
Rubio pas takimeve në Paris ka biseduar në telefon me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov.
Departamenti i Shtetit amerikan njoftoi se Rubio ia ka transmetuar Lavrovit porosinë e njëjtë të cilën ekipi amerikan ua ka thënë edhe delegacionit ukrainas dhe aleatëve evropianë në Paris.
“Presidenti Tramp dhe SHBA-ja duan që kjo luftë të përfundojë dhe ua prezantuan të gjitha palëve kornizat e paqes së përhershme. Pranimi inkurajues në Paris për kornizën e SHBA-së tregoi se paqja është e mundur nëse të gjitha palët angazhohen të arrijnë marrëveshje”, i ka thënë Rubio homologut të tij rus.
Në kumtesën e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, thuhet se Lavrovi, “e konfirmoi gatishmërinë e Moskës që të vazhdojë me përpjekjet e përbashkëta me homologët amerikanë për zgjidhje gjithëpërfshirëse të shkaqeve themelore për krizën ukrainase”.
“Lavrovi dhe Rubio u pajtuan për nevojën e mbajtjes së ‘kanaleve të shpejta për komunikim’, në dritën e takimit në Londër javën e ardhshme”, thuhet në kumtesë. fc/
Foto:EPA/MIA