• e martë, 24 dhjetor 2024

Rrymë për sektorin e biznesit nga Bullgaria, çmimi do të dihet javën e ardhshme

Rrymë për sektorin e biznesit nga Bullgaria, çmimi do të dihet javën e ardhshme
Shkup, 13 shtator 2022 (MIA) - Nuk është e saktë se nëse lidhim marrëveshje për dërgim të energjisë elektrike me Bullgarinë, transferimi do të bëhet përmes Greqisë, tha drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Vasko Kovaçevski. Ai në intervistën e sotme në Top Tema në televizionin Tellma informoi se deri javën e ardhshme duhet të përfundojnë grupet e punës të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të cilat duhet t'i japin propozim-marrëveshjet për dërgesë të energjisë elektrike. Bullgaria ka teprica të cilat i shet në bursa, ndërsa vendi, siç tha Kovaçevski, ka kërkuar dërgesë për 200 megavatë energji, vazhdimisht, 24 orë, nga 1 tetori deri më 30 prill. Në pjesën e marrëveshjes dypalëshe, Maqedonia e Veriut do të propozojë që transferimi i rrymës të bëhet pa kompensim. "Ne i kërkuam Bullgarisë të na furnizojë me energji elektrike me çmim të volitshëm. Ajo energji elektrike duhet t'i dërgohet ekonomisë dhe do të jetë një formë ndihme nga Qeveria dhe EMV që të stabilizojmë tregun e hapur. Në këtë periudhë sektori i biznesit pëson një goditje të madhe që vështirë se mund të përballohet. Sasitë dhe dërgesat duhet të diskutohen më tutje të premten dhe të hënën në nivel grupesh pune dhe javën e ardhshme presim më konkretisht se cili do të jetë çmimi për blerjen e asaj energjie. Dorëzimi do të shkojë direkt nga Bullgaria në Maqedoninë e Veriut", theksoi drejtori. Sa i përket kapaciteteve ndërkufitare, Kovaçevski theksoi se ka njëvjeçare të cilat janë të zëna, por ka edhe të lira. "Konfirmuam se energjia mund të dërgohet pa problem. Do të ketë kohë dhe vend të mjaftueshëm për dërgesë të asaj energjie, vetëm mbetet të definohet marrëveshja që të mundet nga 1 tetori ose në fillim të tetorit ta marrim dhe sektori i biznesit të ketë çmime më të ulëta", theksoi Kovaçevski. Sipas tij, prodhimtaria e rrymës këtë vit është rritur për 40 për qind vetëm në pjesën e termocentraleve ose gjithsej 15 për qind në krahasim me shtatë muajt e parë të vitit të kaluar. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR