• e enjte, 26 dhjetor 2024

Rritje e numrit të azilkërkuesve në qershor në BE për 25 për qind në nivel vjetor

Rritje e numrit të azilkërkuesve në qershor në BE për 25 për qind në nivel vjetor

Bruksel, 24 shtator 2023 (MIA) - Në qershor të vitit 2023 në vendet e BE-së kërkesa për azil për herë të parë kanë dorëzuar gjithsej 83.385 shtetas të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, që është një rritje prej 25 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur janë regjistruar 66.845 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare, tregojnë të dhënat e Shërbimit Statistikor Evropian – Eurostat.

Në të njëjtën kohë, janë regjistruar 5.795 aplikime nga njerëz, kërkesat për azil të të cilëve ishin refuzuar më parë, që përfaqëson një rënie prej nëntë për qind në nivel vjetor nga 6.365 aplikantë të tillë në qershor 2022.

Ashtu si në muajt e kaluar dhe në qershor, numri më i madh i azilkërkuesve ose 13.150 janë nga Siria, pas të cilëve vijojnë afganët me 7.775 aplikime, venezuelasit me 6.925 dhe kolumbianët me 6,165. Ndër ata që aplikuan për azil në BE për herë të parë kishte edhe 1.065 shtetas të Ukrainës..

Më shumë kërkesa për azil janë paraqitur në Gjermani, 23.190, më pas vijojnë Spanja me 16.075, Franca me 12.475 dhe Italia me 10.730. Në këto katër vende janë dorëzuar 75 për qind e numrit të përgjithshëm të kërkesave për azil.

E parë për kokë banori, në nivel të BE-së kjo normë ishte 0,186 kërkesa për azil për 1000 banorë. Shkalla më e lartë e azilkërkuesve "per kapita" ishte në Qipro me 0,799 kërkesa për 1000 banorë, përpara Austrisë me 0,519 kërkesa për 1000 banorë. Nga ana tjetër, Hungaria ka shkallën më të ulët prej vetëm 0.0004 aplikantë për 1000 njerëz.

Siç njoftoi raportuesi special i MIA-s nga Brukseli, në mesin e azilkërkuesve në qershor të vitit 2023 kishte edhe 2975 të mitur të pashoqëruar. Prej tyre, 980 ishin nga Siria, ndërsa 910 nga Afganistani.

Numri më i madh i kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar është paraqitur në Gjermani – 805, pastaj vijon Austria me 570 dhe Holanda me 445 kërkesa. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR