• e diel, 22 dhjetor 2024

Rritje dhe ulje e çmimeve të shtëpive në BE në nivel tremujor dhe në nivel vjetor

Rritje dhe ulje e çmimeve të shtëpive në BE në nivel tremujor dhe në nivel vjetor

Bruksel, 12 janar 2024 (MIA) - Në periudhën korrik-shtator të vitit të kaluar, çmimet e shtëpive në BE janë rritur për 0,8 për qind në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa janë ulur për një për qind në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2022, tregojnë të dhënat e Agjencisë Evropiane të Statistikave – Eurostat.

Në kuadër të Eurozonës, megjithatë, siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, vlera e shtëpive në tremujorin e tretë të vitit të kaluar është rritur për 0,3 për qind në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa është ulur për 2,1 për qind në krahasim me periudhën korrik-shtator 2022. 

Në të njëjtën kohë, qiratë për banesa dhe shtëpi në BE u rritën për 0,8 për qind në nivel tremujor ndërsa tre për qind në nivel vjetor.

Në tremujorin e tretë të 2023, çmimet e shtëpive në nivel tremujor u rritën më së shumti në Poloni për 4,5 për qind, përpara Rumanisë për 3,4 dhe Danimarkës për 3,1 për qind. Nga ana tjetër, rënie më të madhe të çmimeve kishte në Luksemburg për 6,3 për qind, në Finlandë për 2,7 për qind dhe në Gjermani për 1,4 për qind.

Në nivel vjetor, çmimet e shtëpive u rritën më së shumti në Kroaci për 10,9 për qind, përpara Polonisë për 9,3 dhe Bullgarisë për 9,2 për qind, ndërsa rënie më të madhe të tyre ka në Luksemburg për 13,6, Gjermani për 10,2 dhe Finlandë për me shtatë për qind.

Të dhënat e Eurostatit tregojnë se në një dekadë e gjysmë të fundit lartësia e qirave nuk ka ndjekur trendin e ndryshimit të çmimeve të banesave. Kështu, ndërkohë që gjatë vitit 2010 dhe dy tremujorëve të parë të vitit 2011 pati një rritje korresponduese të qirave dhe çmimeve të banesave, pas kësaj periudhe vlera e banesave dhe shtëpive u luhat, ndërkohë që qiratë patën një tendencë rritjeje të vazhdueshme.

Nga tremujori i tretë i vitit 2011 deri në tremujorin e parë të vitit 2013, është vërejtur një rënie e ndjeshme e çmimeve të shtëpive, pas së cilës deri në fund të vitit 2014 vlera e tyre ka mbetur kryesisht e pandryshuar. Nga fillimi i vitit 2015 deri në tremujorin e tretë të vitit 2022, çmimet e banesave dhe shtëpive janë rritur me ritme dukshëm më të shpejta se rritja e qirave. Në tre muajt e fundit të 2022 dhe tre muajt e parë të vitit të kaluar, vlerat e shtëpive shënuan ulje, pas së cilës vijuan dy tremujorë rritje.

Në përgjithësi, midis 2010-tës dhe tremujorit të tretë të 2023, çmimet e shtëpive dhe banesave u rritën për 48 për qind, ndërsa të qirasë për 22 për qind.

Sipas vendit, gjatë kësaj periudhe çmimet e shtëpive u rritën më së shumti në Estoni për 210 për qind, përpara Hungarisë për 185, Lituanisë për 158, Letonisë për 141, Austrisë për 123, Republikës Çeke për 122 dhe Luksemburgut për 107 për qind. Nga ana tjetër, vlera e shtëpive dhe banesave ka rënë vetëm në tre vende anëtare të BE-së, përkatësisht në Greqi për 14 për qind, në Itali për tetë për qind dhe në Qipro për dy për qind.

Kur bëhet fjalë për qiratë, Estonia është gjithashtu në pozitën "lider" këtu me rritjen e tyre për 218 për qind, përpara Lituanisë për 170 dhe Irlandës për 100 për qind. I vetmi anëtar i BE-së ku vlera e qirave është ulur gjatë kësaj periudhe është Greqia edhe atë për 20 për qind. ls/

Foto: Eurostat

QËNDRONI TË LIDHUR