Rritje alarmante e kërkesave për eutanazi në Holandë shkaku i depresionit
- Numri i personave të cilët kanë vdekur nga eutanazia në Holandë është rritur për 10 për qind vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e reja, ndërsa një roje u ka bërë thirrje mjekëve që të jenë shumë të kujdesshëm në rastet e sëmundjeve mendore.
- Post By Fami Bajrami
- 09:52, 25 mars, 2025

Amsterdam, 25 mars 2025 (MIA) - Numri i personave të cilët kanë vdekur nga eutanazia në Holandë është rritur për 10 për qind vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e reja, ndërsa një roje u ka bërë thirrje mjekëve që të jenë shumë të kujdesshëm në rastet e sëmundjeve mendore.
Holanda ka një nga ligjet më të vjetra dhe më gjithëpërfshirëse të eutanazisë në botë. Mjekët mund t'i japin fund jetës së një personi që vuan në mënyrë të padurueshme dhe pa asnjë shpresë për përmirësim. Kërkohet një diagnozë e cila mund të jetë një sëmundje fizike, por edhe një sëmundje mendore ose demencë.
Sipas të dhënave nga Bordet rajonale për kontroll të eutanazisë (RTE), numri i vdekjeve nga eutanazia u rrit nga 9,068 në 2023 në 9,958 në 2024. Shumica dërrmuese (86 për qind) kanë pasur një sëmundje fizike të avancuar siç është kanceri, ndërsa 219 njerëz vdiqën për shkak të sëmundjeve mendore krahasuar me 138 në 2023. Në vitin 2010 kishte vetëm dy raste të tilla.
RTE u bëri thirrje mjekëve që të jenë "shumë të kujdesshëm" me sëmundjet mendore dhe të konsultohen me një psikiatër dhe një mjek të pavarur nga një rrjet i specializuar për çështje të eutanazisë.
"Mjeku duhet të kërkojë gjithmonë një mendim psikiatrik për pacientë të tillë. Qëllimi është që mjeku të jetë i mirëinformuar dhe të mendojë në mënyrë kritike për bindjet e veta", raporton RTE.
Është arritur në përfundimin se gjashtë raste eutanazie nga viti 2024 nuk janë kryer me kujdes të mjaftueshëm. Shembull është rasti i një mjeku i cili pa u konsultuar me psikiatër, miratoi eutanazinë për një grua rreth të shtatëdhjetave që donte të vdiste, sepse pas një frakture të shtyllës kurrizore, nuk mund ta përmbushte nevojën e saj obsesive për të pastruar.
Disa ekspertë janë të shqetësuar, veçanërisht për rastet që kanë të bëjnë me të rinjtë.
Demian Denis, profesor i psikiatrisë në Qendrën mjekësore universitare në Amsterdam tha: "Megjithëse shifrat absolute janë ende të ulëta, ka pasur rritje dramatike të numrit të kërkesave dhe miratimit të eutanazisë tek pacientët me çrregullime mendore, veçanërisht ata nën moshën 30 vjeçe që të vdesin, sepse e përjetojnë jetën si të pashpresë dhe se të gjitha opsionet për trajtim janë të kota?"
Ndërkaq, organizata holandeze NVVE për të drejtën e vdekjes pretendon se numrat përputhen me kërkesën.
"Numrat rriten çdo vit," tha kryetari i NVVE-së, Fransien van ter Bik. Kjo tregon se eutanazia pranohet dhe praktikohet gjithnjë e më shumë. Si dhe vitet e mëparshme, komitetet e monitorimit arritën në përfundimin se eutanazia kryhet me shumë kujdes në Holandë. Kjo është diçka për të cilën mund të krenohemi si vend dhe nuk është diçka që duhet marrë si e mirëqenë, siç tregojnë shembujt e shumë vendeve të tjera.
Foto: arkivi i MIA-s