Rritet numri i të sëmurëve me grip, krahasuar me sezonin e kaluar, rënie krahasuar me javën paraprake
- Gjatë javës së 43-të të vitit 2025 - nga 20 deri më 26 tetor, në vend u regjistruan 56 raste të raportimeve grupore të gripit - sëmundjeve të ngjashme me gripin, që paraqet ulje prej 32,5 për qind krahasuar me javën e kaluar, kumtoi sot Instituti Shëndetësor Publik (ISHP).
- Post By Ramize Qamili
- 10:11, 30 tetor, 2025
Shkup, 30 tetor 2025 (MIA) - Gjatë javës së 43-të të vitit 2025 - nga 20 deri më 26 tetor, në vend u regjistruan 56 raste të raportimeve grupore të gripit - sëmundjeve të ngjashme me gripin, që paraqet ulje prej 32,5 për qind krahasuar me javën e kaluar, kumtoi sot Instituti Shëndetësor Publik (ISHP).
"Për krahasim, në javën e 43-të të sezonit të kaluar, u regjistruan 42 persona të sëmurë - rritje prej 33,3 për qind, ndërsa krahasuar me modelin për 15 sezonet e fundit, u regjistrua rënie prej 10,5 për qind, shpjegoi ISHP-ja.
Personat e infektuar këtë javë u regjistruan në Gostivar 20, Kumanovë 15, Prilep 7, Tetovë dhe Radovish nga 5, Strumicë dhe Makedonski Brod nga 2, sipas të dhënave të ISHP-së.
"Në lidhje me moshën, u regjistruan 48 persona të moshës 15-64 vjeç, mbi 65 vjeç - 5 persona, prej 5-14 vjeç - 2 persona dhe një person i moshës 0-4 vjeç. Incidenca e raportuar është nën limitin javor të aktivitetit sezonal të virusit të gripit (I=22,03/100.000), gjegjëisht ende nuk është arritur pragu për hyrjen në sezonin e gripit ", potencoi ISHP-ja.
Në sezonin 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit - sëmundjeve të ngjashme me gripin është 244, sipas të dhënave nga ISHP-ja. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara u rrit për 64,9 për qind, ndërsa krahasuar me modelin e 15 sezoneve të fundit, u regjistrua rritje prej 21,9 për qind.
Nga ISHP potencuan se vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive kundër kësaj sëmundjeje. Instituti rekomandon vaksinimin e tërë popullatës, veçanërisht të personave që i përkasin të ashtuquajturave grupe të rrezikuara - në përputhje me rekomandimet e OBSH-së: personat e moshuar - mbi 65 vjeç, fëmijët e moshës 6-59 muajsh, personat mbi 6 muaj me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë.
"Sipas të dhënave nga Drejtoria për shëndetit elektronik, nga fillimi i vaksinimit, e deri në përfundimin e mbylljes së këtij raporti, janë vaksinuar gjithsej 31.289 persona nga kategoritë e rrezikuara të popullsisë me vaksina falas", shtuan nga ISHP-ja. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s