• e hënë, 23 dhjetor 2024

Rreziku i një vale të nxehti rri pezull mbi Lojërat Olimpike të Parisit

Rreziku i një vale të nxehti rri pezull mbi Lojërat Olimpike të Parisit

6 shkurt 2024

AFP

Është e vështirë të imagjinohet vapa e verës tani në mes të dimrit në Paris, por pas gjashtë muajsh kur atletët e botës të mbërrijnë për Olimpiadën, një tjetër valë e fortë e të nxehtit do të shkaktojë probleme për organizatorët.

Studimi i ri që tregon "simulimet klimatike për të parashikuar valët më të këqija të të nxehtit gjatë Olimpiadës në Paris 2024" paralajmëron se kryeqyteti francez përballet me një rrezik të konsiderueshëm të temperaturave të larta rekord.

Studimi, i botuar në dhjetor në revistën “Npj Climate and Atmospheric Science”, shqyrtoi rrezikun e një vale të nxehti dy-javore që tejkalonte rekordin e të gjitha kohërave të vendosura në Paris në vitin 2003.

"Në 20 vjet, klima ka ndryshuar dhe ideja ishte të paralajmëroheshin politikëbërësit se ishte e mundur që diçka më e keqe se 2003 mund të ndodhte" tha autori kryesor Paskal Jiu për AFP-në.

“Në shekullin e 20-të nuk ishte e mundur të dilnim përtej këtij rekordi, por tani jo vetëm që do ta barazojmë, por edhe do ta kapërcejmë me një probabilitet që në fund të fundit është mjaft i lartë – 1/100, në rajon”, shtoi ai.

Një studim i veçantë në revistën “Lancet Planet Health” majin e kaluar zbuloi se Parisi kishte shkallën më të lartë të vdekjeve nga nxehtësia prej 854 qyteteve evropiane, pjesërisht për shkak të mungesës së hapësirës së gjelbër dhe popullsisë së dendur.

Stres-test

Gjatë pesë viteve të fundit, Parisi ka dëshmuar një seri vere me temperature gati-rekord. Një nivel i ri i temperaturës së të gjitha kohërave u vendos në korrik të vitit 2019, kur shërbimi i motit Meteo-France mati temperaturë prej 42.6 gradë Celsius në kryeqytetin francez.

Organizatorët e Lojërave Olimpike të Parisit 2024, të cilat zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht, dhe e Lojërave Paralimpike, të cilat fillojnë në fund të gushtit, thonë se janë "plotësisht të vetëdijshëm" për rreziqet që lidhen me klimën për Lojërat.

“Valët e të nxehtit dhe ngjarjet ekstreme të motit janë faktorë që ne i marrim parasysh dhe përgatitemi për këtë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të ndërmarrim veprimet e nevojshme”, tha për AFP-në zëdhënësi i Lojërave Olimpike Paris 2024. Ekipet e operacioneve kryen simulime për të parë pasojat e zhvendosjes së disa ngjarjeve në natyrë në fillimet e hershme ose të mëvonshme për të shmangur vapën e mesditës.

Ngjarjet atletike, veçanërisht maratona, si dhe tenisi apo volejbolli në plazh konsiderohen të pambrojtura ndaj efekteve të diellit dhe temperaturave të larta.

Sportistët e rinj mund të rezultojnë gjithashtu më elastikë se spektatorët që ka të ngjarë të përballen me radhë të gjata për të kapur vendet që dhe mundësisht do të jenë me orë të tëra pa hije në stadiumet e jashtme.

Kreu i agjencisë franceze përgjegjëse për ndërtimin e Lojërave Olimpike, Nikolas Feran, në seancën dëgjimore të Senatit, siguroi se të gjitha objektet e brendshme ishin ndërtuar me të gjitha standardet.

"Ne kemi kontrolluar nëse të gjitha ndërtesat tona do të jenë komode deri në verën e vitit 2050," tha ai muajin e kaluar, duke shtuar se zyra kombëtare meteorologjike dhe konsulenca e IT Daso Sistems ndihmuan me modelimin e tyre.

 

Problem me ajrin e kondicionuar

Një zonë tjetër me shqetësim të vazhdueshëm është fshati i sportistëve në Parisin verior, i cili u ndërtua pa ajër të kondicionuar si pjesë e përpjekjeve për të vendosur standarde të reja mjedisore për Lojërat e Parisit.

Në vend të kësaj, blloqet e kullave në anë të lumit kanë sisteme natyrore të ftohjes gjeotermale, perde, zona të mbjella dhe ajrim me erë. Ato garantojnë një temperaturë të brendshme prej të paktën 6,0 gradë Celsius më të ulët se jashtë - diçka që disa kombe e konsiderojnë të pamjaftueshme.

"Aliri i kondicionuar në fshat ishte një problem," deklaroi për AFP-në një diplomat evropian i përfshirë në koordinimin e Lojërave Olimpike, i cili dëshironte të mbetej anonim. Si një kompromis, organizatorët francezë tani po u ofrojnë delegacioneve vizitore kondicionerë portativë me shpenzimet e tyre.

Torid Tokio

Lojërat e fundit olimpike verore në Tokio mendohet se kanë qenë më të nxehtat ndonjëherë, me temperatura mbi 30 Celsius, së bashku me 80 për qind lagështi. Organizatorët në Tokio i zhvendosën ngjarjet e garës dhe dy maratonat 800 kilometra në veri të Tokios me shpresën e motit më të freskët, nuk u realizuan kurrë.

Pavarësisht nga një sërë masash kundër nxehtësisë, duke përfshirë stacionet e mjegullës, shumë sportistë luftuan në vapë, duke përfshirë tenistin rus Daniil Medvedev, i cili pyeti me zë të lartë në fushë nëse mund të vdiste.

Shumë atletë po përshtaten me ndryshimet klimatike duke bërë më shumë stërvitje në mot të ngrohtë, qoftë në kampe jashtë shtetit ose në flluska të krijuara posaçërisht që mund të rrisin artificialisht nxehtësinë dhe lagështinë.

Duke folur pas Tokios, presidenti i Atletikës Botërore, Sebastian Koe paralajmëroi se "norma e re" po garohet në "kushte vërtet të vështira klimatike".

QËNDRONI TË LIDHUR