• e premte, 22 nëntor 2024

Rreth 40 shtete apelojnë për mbrojtje të UNIFIL-it

Rreth 40 shtete apelojnë për mbrojtje të UNIFIL-it

Nju-Jork, 13 tetor 2024 (MIA) – Së paku 40 vende kanë shprehur mbështetjen e tyre “të plotë” për Misionin Paqëruajtës të OKB-së në Liban (UNIFIL) dhe kanë kërkuar mbrojtjen e helmetave blu pasi pesë paqeruajtës u plagosën në sulmet izraelite në dy ditët e fundit.

"Ne dënojmë fuqishëm sulmet e fundit ndaj paqeruajtësve. Veprime të tilla duhet të ndërpriten menjëherë dhe të hetohen në mënyrën e duhur. U bëjmë thirrje të gjitha palëve në konflikt që të respektojnë praninë e UNIFIL-it, që do të thotë garantim i sigurisë së të gjithë punonjësve në çdo kohë", thuhet në letrën e përbashkët.

Ata gjithashtu theksuan se "roli i UNIFIL është veçanërisht vendimtar në dritën e përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme".

Misioni i OKB-së akuzon armatën izraelite për shënjestrim të përsëritur dhe të qëllimshëm të pozicioneve të saj.

UNIFIL u krijua për të mbikëqyrur tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor pas pushtimit izraelit të vitit 1978. OKB-ja e zgjeroi misionin e saj pas luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut. Më shumë se 10,000 paqeruajtës nga rreth 50 vende janë vendosur tani në Liban. Indonezia, India, Gana, Italia dhe Nepali kanë kontigjentet më të mëdha. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR