Rjabkov: Rusia përgatit ndryshime në doktrinën bërthamore për shkak të Perëndimit
- Rusia do të ndryshojë doktrinën e saj për përdorimin e armëve bërthamore për shkak të asaj që e sheh si përshkallëzim perëndimor në luftën në Ukrainë, konfirmoi zëvendësministri i punëve të jashtme, Sergej Rjabkov për mediat ruse.
Moskë, 3 shtator 2024 (MIA) - Rusia do të ndryshojë doktrinën e saj për përdorimin e armëve bërthamore për shkak të asaj që e sheh si përshkallëzim perëndimor në luftën në Ukrainë, konfirmoi zëvendësministri i punëve të jashtme, Sergej Rjabkov për mediat ruse.
Doktrina ekzistuese bërthamore, e konfirmuar me dekret nga presidenti Vlladimir Putin në vitin 2020, lejon Rusinë të përdorë armë bërthamore në rast të një sulmi bërthamor nga një armik ose një sulmi konvencional që kërcënon mbijetesën e shtetit.
Më herët, disa analistë ushtarakë rusë i bënë thirrje Putinit të ulë pragun për përdorimin e armëve bërthamore në mënyrë që të "kthjellë" armiqtë e Rusisë në Perëndim. Putin tha në qershor se doktrina bërthamore është një "instrument i gjallë" që mund të ndryshojë në varësi të ngjarjeve globale.
Në qërshor, Rusia ka kryer një stërvitje ushtarake për vendosjen e armëve bërthamore taktike dhe lëshimin e tyre, me urdhër të Putinit. Stërvitja u krye pranë kufirit me Ukrainën dhe përfshinte transferimin e mbushje bërthamore të rreme në pikat e magazinimit dhe aeroportet, ku ato u ngarkuan në bombardues, tha njësia speciale bërthamore e ushtrisë ruse.
Deklarata e Rjabkov është shenja më e qartë se do të ketë vërtet ndryshime në doktrinë. "Puna është në një fazë të avancuar dhe ka një qëllim të qartë për të modifikuar doktrinën", tha Rjabkov, transmeton agjencia shtetërore e lajmeve TASS.
Putin tha në ditën e parë të pushtimit të përgjithshëm rus të Ukrainës në shkurt 2022 se kushdo që do të përpiqet ta ndalojë atë do të përballet me "pasojat e papara në histori".
Muajin e kaluar, Ukraina tronditi Rusinë me depërtimin në kufirin e saj perëndimor me një sulm në rajonin e Kurskut. Rusia ende po përpiqet të rrefuzojë brigadat elitare ukrainase, të cilat, sipas ushtrisë ukrainase, kanë kapur më shumë se 1250 kilometra katrorë të territorit rus, më shumë se 100 vendbanime dhe kanë kapur rreth 600 ushtarë rusë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov tha në një intervistë të publikuar të dielën se Perëndimi "po shkonte shumë larg" dhe se Rusia "do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e saj".
Megjithatë, Rjabkov nuk specifikoi se kur do të përfundonte doktrina e përditësuar bërthamore. “Afati i përfundimit të kësaj pune është një problem mjaft i vështirë duke pasur parasysh se po flasim për aspektet më të rëndësishme të sigurimit të sigurisë sonë kombëtare”, sqaroi ai.
Rusia ka më shumë armë bërthamore se çdo vend tjetër. Putin tha në mars se Moska ishte e përgatitur për një luftë të mundshme bërthamore "nga pikëpamja ushtarako-teknike".
Megjithatë, ai shtoi se "nuk ka nxitim për një konflikt bërthamor" dhe se "Rusia nuk është përballur kurrë me nevojën për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë". ls/
Foto: Arkiv